Sistemi VAR (Video Assitant Referee) është lajtmotivi i Kupës së Botës “Rusi 2018” dhe në shumë raste përdorimi i tij ka qenë efikas, duke minimizuar gabimet e mundshme të arbitrave. Për punë ditësh pritet që në FSHF të organizohet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv, nga ku pritet që të vendosen ndryshimet dhe rregulloret e reja për sezonin e ri futbollistik në Shqipëri, 2018-2019.
Në këtë mbledhje parashikohet që të shqyrtohen edhe kërkesat e klubeve anëtare në FSHF për ndryshimet e rregulloreve dhe mbarëvajtjen e aktivitetit. Prej kohësh është bërë e ditur se ka klube që kanë propozuar në Federatë rritjen e aktivizimit njëherësh të lojtarëve të huaj. Partizani dhe Tirana janë promotorët e ndryshimit të këtij rregulli, ku shpresohet që numri të rritet të paktën edhe me një lojtar, nga katër që është tani në pesë. Por “Panorama Sport” mëson se Partizani mund të depozitojë në FSHF edhe një kërkesë shtesë, e cila nëse do të aprovohej, do të ishte risi për Kategorinë Superiore, përdorimi i sistemit VAR.
Në të shkuarën ka pasur plot raste të kontestuara në ndeshjet e Superiores, madje dhënia dhe mosdhënia e një penalltie, goli apo kartoni është amplifikuar për javë me radhë. Ndaj, të kuqtë do të kërkojnë nga qeveria e futbollit shqiptar që të gjejë mundësitë për të aplikuar teknologjinë në Superiore, në mënyrë që të minimizohen akuzat, kontestimet, parag-jykimet dhe të ashtuquajturat gabime njerëzore të gjyqtarëve. Në parim duket si pamundësi për futbollin shqiptar përdorimi i teknologjisë VAR në Superiore, për shkak të infrastrukturës së disa stadiumeve, financave të pakta, si dhe burimeve njerëzore.
SI FUNKSIONON VAR
Përdorimi i teknologjisë ka hyrë për të ndihmuar gjyqtarët që të marrin vendimet e drejta në fushë. Ky sistem ka të bëjë me rishikimin e pamjeve filmike të episodeve të diskutueshme që ndodhin në fushën e lojës. Skuadra e sistemit VAR vendoset në një dhomë të posaçme dhe ka tre asistentë, të cilët kanë qasje në 33 kamera, të cilët ndodhen brenda stadiumit dhe 12 prej tyre kanë lëvizje super të ngadalta. Komunikimi ndërmjet arbitrit kryesor dhe zyrtarëve që shikojnë videot mund të përfshihet përmes dy rrugëve. Ideja është që secili pjesëtar i skuadrës VAR të shohë pozicione të ndryshme në kamera, duke informuar gjyqtarët për ndonjë gabim apo incident të humbur, ose kur arbitri kërkon ndihmë. Nëse asistentët e VAR-it besojnë se gjyqtari ka bërë një gabim, ata mund ta këshillojnë atë nëpërmjet kufjeve. Ose edhe nëse arbitri nuk është i sigurt për një vendim të caktuar, mund të këshillohet me asistentët e VAR-it.
KUR PËRDORET
Katër janë rastet kur kërkohet ndihma e sistemit VAR: 1-Në rastet kur diskutohet nëse goli është i rregullt ose jo. Për shembull, nëse lojtari ka kryer faull para se të shënojë ose jo. 2- Në rastin kur kërkohet vendim i saktë për të akorduar kartonë të verdhë ose të kuq. 3- Në rastet e akordimit të 11-metërshave. 4- Në rastet kur duhet përcaktuar saktë identiteti i futbollistit, që duhet ndëshkuar me karton të verdhë ose të kuq, pra, për të mos ngatërruar lojtarin që do të ndëshkohet./Panorama