Kreu i PD Lulzim Basha ka zhvilluar një takim një ditë më parë me disa të rinj, në përkujtim të 2 korrikut, ditës kur shqiptarët u futën nëpër Ambasada pas rënies së komunizmit.
Gjatë fjalës së tij, Basha ka thënë se Shqipëria kontrollohet nga 5 oligarkë, që sipas tij pastrojnë paratë e Ramës.
Por Basha nuk i përmendi me emra.
“Me ekonomi të drogës dhe krimit nuk hapen. Sa u hapën në 2016, sa u hapën këtë qershor, aq do të hapen edhe qershorit tjetër.
Opozita e ka bërë punën e saj për hapjen e negociatave, duke u thënë evropianëve të vërtetën në sy dhe duke u thënë kështu është siç thoni ju. Ndihma juaj për hapjen e negociatave do të ishte një ndihmë shtesë për t’i mbajtur nën kontroll.
Ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë. Detyra jonë e parë është çlirimi i politikës nga krimi.
Çlirimi nuk do të vijë duke i dhënë falje Edi Ramës, por duke i treguar Edi Ramës derën, duke larguar këtë qeveri. Vetëm çlirimi i politikës nga krimi hap negociatat. Nga oligarkët, pesë oligarkë kontrollojnë sot Shqipërinë.
Ky që bën stadiumin me kullë dhe që pastron paratë e drogës për llogari të Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit, ky merr çdo tender. Pesë kompani kontrollojnë gjithçka dhe biznesi i vogël po shkon kokëposhtë”, tha Basha./a.m.