Koncesionari i Aeroportit të Tiranës ka 20 milionë euro detyrime ndaj buxhetit të shtetit.
Televizioni Klan ka mësuar se ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka kërkuar kompanisë që operon në Rinas, që të kthejë mbrapsht paratë e dhëna në vitet e para të nënshkrimit të kontratës me vlerë 20 milionë euro, një detyrë që i lindte palës shtetërore për të ndihmuar përmes një kredie në kapitalin e shoqërisë me qëllim realizimin e investimeve.
Me anë të këtyre parave koncesionari i Rinasit duhet të përmbushte disa pika në kontratë për të kryer investime në aeroport dhe zonës përreth aeroportit.
Burime konfidenciale për Televizionin Klan bëjnë me dije se investimet nuk janë realizuar, e si rrjedhojë e kësaj, koncesionari duhet t’i kthejë buxhetit shumën prej 20 milionë eurosh, të cilën nuk ia ka kthyer ende.
Pavarësisht fitimeve të shumta që ka realizuar në vite kjo shoqëri, ku vetëm gjatë 2017-ës arriti një fitim neto 17.5 milionë euro, për shkak të tarifave 2-deri në 3 herë më të larta se aeroportet e tjera të rajonit, firma nuk paguan as detyrimet ndaj buxhetit të shtetit.
Autoritetet shtetërore kanë kërkuar rishikimin ekonomik të kontratës nga një këshilltar financiar i pavarur, i cili do të bëjë analizën e drejtë të fitimeve të shoqërisë dhe nëse ka vendosur ndaj kompanive të fluturimit tarifa të drejta e në përputhje me çmimet e vendeve fqinjë. /b.d