Në 24 orët e fundit në Tiranë janë regjistruar nga policia e shtetit dy raste të “dhunës”, ushtruar nga kafshët tek njerëzit.
Policia jep dy raste, të ndodhura në Tiranë e Rrogozhinë. Në kryeqytet, një 32 vjeçar me inicialet A.P është sulmuar nga një qen në rrugën e Dibrës. Qeni ka qenë në pronësi të një 25 vjeçari i cili mesa duket nuk ka ditur të mbajë nën frerë kafshën. 32 vjeçari ka përfunduar në spital pas kafshimeve që ka marrë.
Rasti i dytë ka ndodhur në fshatin Okshtun Zambish të Rrogozhinës. Një i moshuar teksa po ruante bagëtitë e tij është goditur nga një lopë. Për pasojë 70 vjeçari ka përfunduar në spital.
NJOFTIMET E POLICISE
Më datë 27. 06. 2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin A. P., vjeç 25, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën e “Dibrës” pranë një kompleksi, qeni i tij ka kafshuar duke i shkaktuar dëmtime shtetasit A. Q., vjeç 32, banues në Tiranë, i cili pas mjekimit në spital është larguar për në banesë. Neni 89 i Kodit Penal.
Më datë 27. 06. 2018, në fshatin Okshtun Zambish Rrogozhinë, në afërsi të banesës, duke ruajtur bagëtitë shtetasi Sh. S., vjeç 70, banues në Rrogozhinë, është goditur nga një bagëti e trashë dhe për pasojë ndodhet në spital nën kujdesin e mjekut. Materialet u referuan pranë Gjykatës së Shkallës Parë Kavajë, për ngjarje aksidentale. /b.d