Këshilli i Ministrave ka vendosur t’i akordojë bonusin prej 8.5% shoqërisë “A.N.K.”, e cila ka kryer studimin e fizibilitetit për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldren.
Ky bonus do t’i japë një avantazh kësaj kompanie në garën që do të hapet për “Projektimin, ndërtimin, financimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Balldren”. Procedurat e tenderit me koncesion PPP pritet të nisin deri në muajin Shtator.
Aksi i propozuar shtrihet përgjatë rrugës ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohet si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës, nëpërmjet një tuneli 850 metra të gjatë, raporton SCAN.
Segmenti i mësipërm do të jetë pjesë e projektit “1 miliardë”, ndërkohë që ka qenë një propozim i pakërkuar, ai nga ana e shoqërisë që ka fituar edhe bonusin.
Rruga e re do të ndërtohet me standarde ndërkombëtare të kategorisë A, me një gjatësi rreth 18 km, me 6 korsi nga të cilat dy janë të emergjencës, rrugët sekondare ndërlidhëse, me gjatësi rreth 9.5 km. Ky investim pritet t’i japë një zgjidhje përfundimtare trafikut në zonën urbane të Lezhës dhe kryqëzimin me Shëngjinin si dhe do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit në superstradën Shkodër –Tiranë./Scan/a.m.