Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë një ‘dritë jeshile’ të kujdesshme për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke kërkuar që të dyja vendet të demonstrojnë përparim mbi reformat, para se bisedimet të fillojnë vitin e ardhshëm.
Gjatë takimit në Luksemburg,ministrat e jashtëm të BE ranë dakord për të përcaktuar “rrugën drejt hapjes së negociatave në qershor 2019”, referuar draftit përfundimtar të deklaratës së tyre të përbashkët, shkruan javanews
Ata gjithashtu kërkuan që Shqipëria dhe Maqedonia të demonstrojnë përparim mbi reformat.
Progresi duhet të përfshijë “rezultate të tjera të prekshme dhe të qëndrueshme” mbi reformen e gjyqësorit, shërbimet e sigurisë dhe administratën publike, si dhe goditjen e korrupsionit dhe trafiqeve.
Shqipëria dhe Maqedonia shpresojnë se vendimit do t’i hapet rruga për aprovim nga krerët e BE në samitin që do mbahet në 28-29 qershor.
Ishin Franca dhe Holanda, mbështetur nga Danimarka, bënë thirrje për më shumë reforma në Shqipëri dhe Maqedoni, përpara se të fillojë bisedimet e anëtarësimit.
Ministri austriak i Çështjeve Evropiane, Gernot Blumel tha se vendet e BE morën një “pozitë të fortë”, duke u sinjalizuar vendeve të Ballkanit Perëndimor se ata kishin një “perspektivë të qartë drejt Bashkimit Evropian”, shkruan javanews
Përpara takimit në Luksemburg, Ministri i Jashtëm holandez Stef Blok pranoi se të dy vendet kanë bërë “përparim të rëndësishëm”.
“Por, në të njëjtën kohë, ata nuk janë ende aty ku duhet,” tha Blok gjithashtu.
“Ne duam të shohim rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit”, shtoi ai
Michael Roth, ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë, këmbënguli që të dy vendet e Ballkanit kanë bërë “përparim të dukshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit”.
Duke folur në Vjenë, kryeministri maqedonas Zoran Zaev u kërkoi udhëheqësve evropianë të vazhdonin “motivimin” e vendit të tij për reforma.
“Motivimi nga BE është forca udhëheqëse në vendet e Ballkanit Perëndimor,” tha ai.
Më 25 qershor, komisioneri Johannes Hahn, theksoi rëndësinë e dhënies së një “sinjali pozitiv” për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Hahn tha në një konferencë ndërqeveritare BE-Mali i Zi në Luksemburg se Maqedonia duhet të “shpërblehet” pas nënshkrimit tw marrëveshjes me Greqinë, shkruan javanews
“Unë mendoj se nëse kjo nuk shpërblehet në mënyrë kuptimplote, kjo do të ketë një ndikim të menjëhershëm dhe të madh për stabilitetin e rajonit”, tha Hahn.
Përveç Maqedonisë dhe Shqipërisë, katër vende të tjera të Ballkanit mbeten jashtë BE-së: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Vetëm Mali i Zi dhe Serbia kanë nisur deri tani negociatat e anëtarësimit me bllokun.
Javanews.al/a.ç