Ajo është 31 vjeçe dhe mban mbi shpatulla dy martesa të dështuara, është nëna e tre fëmijëve dhe është braktisur po thuajse nga të gjithë përveç atyre që do dhe e duan më shumë dy djemtë dhe vajza.
Pikërisht për këtë arsye ka ardhur në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 për të treguar jetën e saj plot me peripeci dhe sakrificën që bën e vetme për të mbajtur tre fëmijët pa asnjë mbështetje nga baballarët e tyre.
Çetina Elezi është me origjinë nga Dibra. Ajo u martua në vitin 2003 dhe solli në jetë një djalë. Pas afro 11 vitesh martesa shkoi drejt divorcit. Ishte e re në moshë dhe nisi bashkëjetesën me një tjetër djalë konkretisht ne vitin 2014 Cetina u njoh me Emiljano Dakon, 37 vjeç nga Berati.
Marrëdhënia e tyre nuk zgjati shumë, pas 4 vitesh ai e braktisi. Çetina dhe Emiljano në këto katër vite bashkëjetesë kanë sjellë në jetë 2 fëmijë. Vajza që është 1 vjeç e gjysmë dhe djali që sapo ka mbushur 1 muaj jetë.
31-vjeçarja tregon se u braktis nga bashkëjetuesi i saj kur ishte shtatzënë dhe gjithçka nisi me vjehrrën pasi kjo e fundit nuk pranonte djalin e nuses nga martesa e parë, që aktualisht është 11 vjeç.
“Në fillim shkonte çdo gjë mirë, ndonëse vjehrra nuk e kishte me qejf për mua. Nuk më donte. Vjehrra ia mbushi mendjen djalit që të më linte. Kanë kaluar 5 muaj që Emiljano nuk është bërë më i gjallë qoftë dhe për dy fëmijët, djalin e vogël as nuk e ka parë. Unë punoj 2 turne vetëm që të mbaj fëmijët por nuk e përballoj dot e vetme, tani që kam dhe djalin e vogël”, tregon Çetina, raporton “BalkanWeb”.
Kjo nënë 31-vjeçare ka ngelur mes katër rrugëve me tre fëmijët e saj është gati të sakrifikojë gjithçka vetëm të mos i braktisi siç bënë baballarët e tyre.
“Dua t’i jap një mundësi tjetër Emiljanos. Do t’i them që ia kam falur të gjitha vetëm të kthehet tek fëmijët që mos t’i ndaj si fëmijën e parë. Shpresoj që Emiljano të reflektojë. Nëse kjo nuk ndodhë do bëj denoncim. Dua t’i kem bashkë të tre fëmijët. Do doja një strehim vetëm. Kam aplikuar në bashki por nuk e përfitoj dot sepse nuk e kam pagën mbi 400 mijë lekë. Kam aplikuar për bonus qiraje, e mora vitin e kaluar për 1 vit. Kësaj radhe nuk më doli sepse kishin ndryshuar dokumentet. Shkova në Bashki dhe ata më kanë thënë që do më ndihmojnë”, tha 31-vjeçarja./a.m.