Gjobat e vendosura ndaj dy lojtarëve shqiptarë nga Kosova, që përfaqësojnë Zvicrën në Kupën e Botës “Rusi 2018”, duket se e kanë gjetur një kontribues, i gatshëm të paguajë për shlyerjen e një pjese të tyre.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Bajram Hasani ka vendosur që pagën e tij ta japë për të paguar një pjesë të gjobës së Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, të cilët u dënuan nga FIFA për shkak të gjestit të shqiponjës dykrenare në vazhdën e festimeve të golave të tyre që i dhanë fitoren 2-1 Zvicrës në përballjen me Serbinë.
Përmes një postimi në Facebook, ministri që edhe vet vjen nga Gjilani, vendlindja e Shaqirit, ka thënë se emocionet që ata u dhanë të gjithë shqiptarëve nuk paguhen me parà.
“Nuk paguhen me parà emocionet që na dhanë Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kur festuan me shqiponjë, pas golave të tyre në ndeshjen Zvicër-Serbi. Ata u dënuan vetëm sepse nuk harruan rrënjët e tyre, nuk harruan nga vijnë. Jo se ata nuk i kanë mundësitë financiare për ta paguar një dënim të tillë, por ndjenja e krenarisë që na dhanë me golat e tyre, më bën të ndihem i detyruar që një pagë timen ta ndaj për pagesën e kësaj gjobe. Vazhdoni djema e na bëni krenarë!”, shkruan ministri Hasani në Facebook./a.m.