Biblioteka Kombëtare ka shpallur ditën e sotme gjendjen e emergjencës pas përmbytjes së 12 mijë materialeve nga reshjet e dendura të shiut, teksa një reagim ka ardhur nga deputeti demokrat Agron Shehaj.
Sipas Shehajt kultura po mbulohet nga uji dhe betoni, duke kujtuar kështu edhe rastin e Teatrit Kombëtar përveç rastit të Bibliotekës.
POSTIMI:
Të dashur miq,
Biblioteka Kombëtare e Shtetit Shqiptar ka shpallur emergjencën për dy orë stuhi, sepse librat, kjo pasuri e rrallë, janë lënë në mëshirë të fatit! Biblioteka mbushet me ujin që sheshi i çmimeve ndërkombëtare nuk di të mbajë, dhe ja rezultati!
Arroganca dhe lakmia e pushtetit e zhduk kulturën, e përmbytur nën ujë ose e mbuluar me beton, si në rastin e Teatrit.
Për këto individë, rëndësi ka që të fitojnë sa më shumë. Populli nuk duhet të gëzojë dije, informacion dhe pavarësi në mendim.
Ky makth nuk do të zgjasë edhe shumë. Këtë vend do ta bëjnë ata që e duan. /b.d