Nga Gazmend Shpuza
Është shkruar dhe folur shumë rreth përmasave të jashtëzakonshme të mbrojtjes së Ulqinit, jo vetëm në historiografinë tonë. Edhe un pata nderin të mbajë një kumtesë me këtë temë në Simpoziumin Shkencor prestigjioz me temen shprehëse “Ulqini në rrjedhat e historisë” të organizuar në vitin 2012 nga “Artklubi”, i mirënjohur jo vetëm në Mal të Zi por në të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë për trajtimin e temave kushtuar shqiptarësisë dhe shqiptarisë gjithkund ku ka shqiptarë.
Studimi i kësaj teme mbetet aktuale edhe për faktin se në historiografinë ballkanike fqinje, sot e kësaj dite, ajo paraqitet si “çlirim” dhe jo, siç është vlerësuar jo vetëm nga shqiptarët, kalim nga një sundim i huaj në një tjetër, i konsideruar me pasoja edhe më të rënda. Princ Nikolla ngulte këmbë që Stambolli ta ripushtonte qytetin dhe t’ia dorëzonte Malit të Zi, për deri sa Evropa kishte vendosur t’ia dhuronte atij. Dhe forcat e krajlit marshonin drejt qytetit 500 hapa pas forcave osmane. Ato po hynin në një qytet krejtësisht të huaj, faktikisht në një tokë që në lashtësi dhe aktualisht pa asnjë diskutim tërësisht shqiptare. Ulqini nuk qe prekur as nga procesi i egër i sllavizimit sikurse viset e tjera më veriore të trevave iliro-arbërore.
Është thënë dhe përsëritur disa herë ajo çka dihet tashmë prej të gjithve, se mbrojtësit heroikë të Ulqinit dhe gjithë prapavija e gjerë atdhetare, që i mbështeti ata, luftuan në tre fronte: kundër forcave osmane dhe atyre malazeze, duke pasur përballë dhe flotën e fuqive të mëdha të kohës të përbërë nga 20 luftanije, të përforcuar dhe nga ndonjë anije osmane. Kjo forcë shumëkombëshe llogaritet të ketë arritur deri në 30000 vetë, e gjitha e drejtuar kundër një qyteti të vogël shqiptar prej as 10000 banorësh midis tyre qenë dhe 1000 muhamedanë sllavë, të cilët morrën pjesë në Lidhjen Shqiptare, sepse e mbanin veten gjithnjë, jo pa arsye, shqiptarë, sepse i sllavizimit të tyre nuk kishte përfunduar.
Për të çuar në vend vendimet e Kongresit të Berlinit, pas një qëndrese më se dyvjeçare të shqiptarëve të udhëhequr nga Lidhja e Przrenit, u bashkuan Evropa perëndimore dhe lindore përfshijë dhe Perandorinë Osmane. Një aleancë të tillë politiko-shtetërore kontinenti ynë plak, mund të pohohet pa frikë se gabojmë, nuk e ka realizuar asnjëherë në historinë e tij. Këtij koalicioni të përmasave kontinentale ju kundërvunë ulqinakët të mbështetur nga kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me Iljaz pashë Dibrën dhe Ali pashë Gucinë në krye dhe veçanërisht nga Dega e Lidhjes për Shkodrën të kryesuar tani nga Isuf Sokoli e Fetah Dragusha.
Pra, vullnetarët e pozicionuar në llogoret e Ulqinit nën udhëheqjen e Mehmet Becit dhe Mehmet (Bet) Gjylit u angazhuan kundër forcave dhjetë herë më të mëdha në numër, pa bërë fjalë për shpërpjestimin në armatime dhe në pajisjen e tyre luftarake. Për të dëshmuar me tej këtë raport disproporcional, midis forcave kundërshtare në keto tre fronte në Ulqin më 1881 mjafton të kujtohet që kundrejt shqiptarëve qenë drejtuar 200 gryka zjarri. 101 prej tyre, sigurisht të kalibrave të rëndë, i përkisnin flotës ndërkombëtare të dislokuar në ujrat e Ulqinit, Forcat armike komandoheshin nga kuadro ushtarake me shkolla e me përvojë si mareshalli Dervish pasha, vojvodët më të shquar malazezë dhe nënadmirali anglez Sejmur.
Përballë këtij koalicioni të përmasave realisht kontinentale do të vërehet se qëndrimi i forcave politike shqiptare ndaj çështjes së mbrojtjes së Ulqinit nuk do të ishte deri në fund unik, sikurse për Plavën e Gucinë apo dhe në Hot e Grudë. Përkundrejt presionesh të papërballueshme në rritje, në frontin qendresës do të dallohen të palëkundurit, të mashtruarit, të lëkundurit dhe kapitullantët. Të palëkundurit shkruan historinë e lavdishme të qytetit dhe të mbarë luftave të zhvilluara nën udhëheqjen e Lidhjes.
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit iu desh të përballonte jo vetëm ndërhyrjen por dhe angazhimin e fuqive të mëdha, në radhë të parë, të atyre me interesa të veçanta në Ballkanin Perëndimor. Ata punonin intensivisht, krahas Portës për devijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga qëndresa e vendosur dhe orientimi thellësisht kombëtar i saj.
Patriotët e vendosur u përballën me elementët turkomanë, çka vlen të theksohet pa dallim besimi, myslimanë dhe katolikë, që kishin depërtuar dhe në këshillat e Lidhjes. Me mbështetjen e diplomacisë evropiane, agjenturës ballkanike dhe të Stambollit ata do të shndërrohen në një front kompakt, fronti i katërt antishqiptar, në prapavijat e mbrojtësve të Ulqinit.
Më 1878-1881 Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shndërrua në një organizatë të fuqishme kombëtare, jo e lehtë për t’u përballuar nga koalicioni armik evropian. Pikërisht kur ziente çështja e Ulqinit, në rrethe diplomatike evropiane, nuk mungoi ndonnjë mendim që të hyhej drejt për së drejti në bisedime me Lidhjen, për të eleminuar qëndresën e saj ndaj vendimeve të Koncertit Evropian. Porse Fuqitë Mëdha pretendonin, se Lidhja ishte një organizatë rebele. Si e tillë, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, nuk mund të hyhej në bisedime me udhëheqjen e saj të paligjshme. Për më tepër, në se shqiptarët do të kundërshtonin komprometohej rëndë prestigji i Fuqive të Mëdha.
Diplomacia evropiane tani u kujtua dhe u kujdes, gjithashtu, që të mos cënoheshin të drejtat sovrane të Perandorisë Osmane, të nëpërkëmbura dhe të përdhunuara nga ajo në mënyrën më brutale në Kongresin e Berlinit. Duke qenë veprimtarët dhe anëtarët e Lidhjes nënshtetas osmanë, pretendohej, se nuk mund të ndërhyhej në këtë mënyrë në punët e brendshem të sulltanatit osman. Mbi bazën e kësaj logjike tejet të mbrapshtë, në vend që të hyhej në bisedime me përfaqësuesit e ligjshëm të popullit shqiptar, trashëgimtar i lashtë i atyre trojeve, u parapëlqye rruga e ballafaqimit ushtarak të koalicionit imperialist, shovinist dhe osman me forcat kombëtare shqiptare.
Pavarësisht nga pretendimet megalomane të Fuqive të Mëdha, përmes konsujve të tyre në Shkodër, faktikisht, ato kishin hyrë në bisedime me përfaqësues të Lidhjes lidhur me kërkesat autonomiste të shqiptarëve. Pra, Fuqitë e Mëdha edhe pse juridikisht nuk e njohën Lidhjen Shqiptare të Prizrenit faktikisht ata pasi kishin njohur forcën dhe kërkesat e saj u detyruan t’i marrin parasysh deri në një farë shkalle për paralizimin e qëndresës së udhëhequr prej saj.
Nënshkruesit e Traktatit të Berlinit kërcënuan Portën e Lartë, në qoftë se nuk do të arrinte ta dorëzonte Ulqinin pa luftë, flota ndërkombëtare do të zbarkonte në portin e Izmirit. Dogana e tij siguronte të ardhurat kryesore në shkallë perandorie. Sigurisht që nuk mund të bëhej asnjë krahasim lidhur me çfarë përfaqësonte për Perandorinë Osmane politikisht dhe ekonomikisht Izmiri në raport me Ulqinin. Megjithatë në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha e kishin të qartë se fati i vendimeve të tyre lidhur me lëshimet tokësore që ato po i dhuronin Malit të Zi nuk varej nga trysnia që do të ushtrohej mbi sulltanin në Izmir por nga thyerja e qëndresës së shqiptarëve në Ulqin. Prandaj objektivi i flotës ndërkombëtare nuk u bë Izmiri por Ulqini.
Fuqitë e mëdha kishin dy vjet që kishin deklaruar se i kishin dhënë fund krizës lindore me Traktatin e Berlinit, porse vendimi i tyre për dorëzimin e Plavës e Gucisë apo të Hotit e të Grudës përballë qëndresës së vendosur të forcave të Lidhjes nuk arritën të zbatoheshin. Së fundmi dhe çështja e Ulqinit po e mbajti të ngritur peshë dipolitikën evropiane për muaj me radhë. Çështja Shqiptare, e injoruar nga Fuqitë Mëdha iu imponua atyre, jo vetëm në tryezat e pazarlleqeve diplomatike e politike por dhe në fushën e angazhimit ushtarak.
Çështja e fatit të trojeve shqiptare, ashtu siç e kishte shtruar Lidhja që me themelimin e saj, tashmë, qe ndërthurur dhe më ngushtë me çështjen e të ardhmes politike të Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha u detyruan të premtojnë diçka dhe përsa i takon kërkesave autonomiste të shqiptarëve. Qëndrimi i tyre i vendosur përsa takonte dorëzimit të Ulqinit nuk mbeti thjesht diplomatik. Tani kemi të bëjmë me një qëndrim unik të vendosur, deri dhe ushtarak të koncertit evropian.
Si rrjedhim i luftës dyvjeçare të popullit shqiptar të udhëhequr nga Lidhja e Prizrenit, çështja shqiptare iu imponua në tërësinë e vet si Portës së Lartë po ashtu dhe kancelarive perëndimore të kohës. Jo vetëm çështja e ndryshimit të kufijve por dhe ajo e autonomisë së Shqipërisë filloi të ndërkombëtarizohej pa vonesë në një shkallë të ndjeshme, duke u ndërthurur dhe më mngushtë midis tyre. Ambasadori anglez në Stamboll, më 26 korirk 1880, do të pranonte: “Kombësia shqiptare është një element që nuk duhet lënë pa u përfillur në çdo kombinim politik në të ardhmen.”
Në verën e vitit 1880, përfaqësuesi britanik në Komisonin e reformave për Rumelinë, Ficmoris (Fitzmaurice) paraprakisht kërkoi që vilajetet e “Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës të përjashtoheshin nga projektligji për administratën e vilajeteve të tjera të Turqisë Evropiane”. Përkundrejt kësaj, ai i paraqiti komisionit të reformave një projekt, i cili parashikonte organizimin e katër sanxhakëve me qendër në Shkodër, Prizren, Elbasan dhe Janinë, si hap të parë, me sa duket, për bashkimin e tyre në të ardhmen në një vilajet të vetëm, nënkuptohet, shqiptar. Duket qartë se sanxhaku i Manastirit dhe sanxhaqe të tjerë shqiptarë nuk përfshiheshin në projektin britanik. Ndërsa për bashkimin e tyre ende nuk po bëhej fjalë.
Edhe në këtë formë të moderuar e tejet të cunguar propozimi anglez ndeshte në kundërshtimin e fuqive të tjera. Përkundrejt propozimit britanik “komisioni europian” i ngritur për këtë qëllim miratoi, me përjashtim të përfaqësuesit rus, projektin austro-francez. Sipas tij, nisur nga interesa të veçanta apo dhe të ushqyera me mendësi teokratike, bizantiniste dhe osmane, të identifikimit të fesë me kombësinë i sugjerohej Portës së Lartë të jepte autonomi administrative vetëm për malësitë katolike të Veriut. Europa moderne e atëhershme nuk ishte në gjendje dhe as e interesuar ta trajtonte kombin shqiptar ashtu siç ishte në të vërtetë, një komb plurifetar i ngritur mbi dallimet fetare.
Megjithë qëndrimin thellësisht antishqiptar të Parisit, të Peterburgut dhe të Vjenës, me këmbënguljen e përfaqësuesit britanik në deklaratën e “komisionit Europian për Rumelinë Lindore” u shtua dhe shënimi që Fuqitë e Mëdha “nuk do të kishin asnjë kundërshtim” në se Stambolli do ta shihte me vend që t’i bashkonte krahinat shqiptare në një vilajet të vetëm. Ky rekomandim ishte konfirmim i padiskutueshëm i faktit që Lidhja kishte provuar, se Shqipëria nuk ishte një shprehje gjeografike, por një entitet kombëtar i rrënjosur historikisht në ato troje. Ky rekomandim realist dhe pozitiv qe krejtësisht i pamjaftueshëm jo vetëm për zgjidhjen por dhe për shtruarjen e Çështjes Shqiptare përderisa realizimi u la në duart e Portës, thënë ndryshe, në dëshirën e sulltanit.
Edhe pas një lufte më se trevjeçare të Lidhjes në mbrojtje të trojeve amtare të ndërthurur ngushtë me kërkesat këmbëngulëse të saj për sigurimin e Vilajetit autonom Shqiptar, edhe Londra pas reflektimeve realiste të mësipërme të diplomatë të saj në Rumeli, ashtu sikurse bashkëshoqet/shokët e saj përfshijë dhe Stambollin, nuk ishin të interesuara ta trajtonin Çështjen Shqiptare, prandaj nuk denjuan as ta përfillnin sado pak. Ato shtruan në Kongresin e Berlinit probleme të tjera që nuk kishin asnjë krahasim me problemin shqiptar me të cilin ato qenë të detyruara të meren për afro katër vjet jo vetëm diplomatikisht dhe politikisht, por u angazhuan seriozisht në unison edhe ushtarakisht si asnjëherë tjeter gjatë historisë së tyre, si Çështja armene e deri edhe ajo maqedone.
Çështja e parë kishte të bënte me një diasporë të gjerë që nga kufijtë me Rusinë e deri në Rumeli, për të cilën, çuditërisht, më shumë interesohej Parisi se sa Moska. Ndërsa çështja maqedone, ishte jo më shumë se një shprehje gjeografike-historike. Atje askush ende nuk e quante veten maqedon. Pas këtyre qëndrimeve, pak t’i quajmë, dashamirëse që u mbajt në Berlin në koriik 1878, ndaj çështjeve të quajtura armene dhe maqedone në Anadoll dhe mesin e Rumelisë nisën atentatet dhe plasën bombat e organizatave armene dhe të ndihen guerrilasve të quajtur maqedon. Këto akte për çudi në Evropë nuk konsideroheshin terroriste dhe do të punohej për ndërkombëtarizimin e tyre Çështja armene dhe ajo maqedone nuk do të ishin çështje të brendshme të Perandorisë Osmane, ndërsa Çështja shqiptare do të lihej në duart e sulltanit. Qëndrime të tilla kushtëzoheshin nga interesat e fuqive kolonialiste evropiane të vjetra dhe të reja për sigurimin e rrugëve të ekspansionit të tyre drejt Lindjes së Afërme dhe të Mesme dhe 0shumë më tutje. Trojet shqiptare për ta ishin objekt i ekspansionit të tyre apo monedha këmbimi në transaksionet midsis tere dhe klientëve të vet ballkanas.
Ndërkaq shqiptarët e udhëhequr nga Lidhja, të cilët qenë ngritur masivisht me armë për të mbrojtur trojet veta nga vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit dhe sigurimin e autonomisë së Shqipërisë edhe përballe armatës së Dervish pashës famëkeq, konsideroheshin rebelë me të cilët nuk mund të hyhej në bisedime.
Porta e Lartë jo vetëm nuk pranoi asnjë nga sugjerimet e moderuara të diplomacisë britanike, por la më një anë dhe projektin e saj për krijimin e një vilajeti të Rumelisë. Ndërkohë, mori masa energjike për ta shtypur me hekur dhe me zjarr Lidhjen e Prizrenit. Trajtimi, në fund të fundit, i çështjes shqiptare nga ana e fuqive të mëdha të kohës si një çështje e brendshme e Turqisë, i la Portës së Lartë shesh të lirë për të ndjekur politikën e dorës së hekurt ndaj Lidhjes së Prizrenit, ndaj shqiptarëve.
Në këto rrethana, mbrojtësve së Ulqinit iu desh të ndesheshin me manovrime nga më të ndryshmet. A. Dino, me që qarkorja e 9 korrikut 1880 me këshillat e tij për dorëzimin e Ulqinit nuk u përfill nga organet e Lidhjes në Veri të Shqipërisë, dërgoi për herë të dytë Mustafa pashë Vlorën me të tjerë në Shkodër. Ata të furnizuar edhe me një shumë të mirë të hollash nga Stambolli, si dhe me nishane perandorake dhe libra të shenjtë të Kuranit kishin për detyrë t’i bindnin ulqinakët dhe shkodranët që të bënin, sipas fjalëve të tij, kinse, një sakrificë të “vogël” për një çështje të “madhe”. Ai kërkoi prej tyre të lëshonin pa luftë trevën e Ulqinit me 10 mijë banorë me pretendimin për të shpëtuar provincën e Çamërisë me 100 mijë frymë. Ata premtuan, gjithashtu, se në se nuk do të kundërshtonin dorëzimin e qytetit, Porta e Lartë do t’u jepte shqiptarëve disa të drejta autonomiste.
Qarqet atdhetare shqiptare nuk mund të bindeshin të hiqnin dorë nga mbrojtja e Ulqinit me argumente kësisoji. “Patriotizmi lokal” i Abedin pashës me shokë përballë patriotizmit kombëtar e pati të vështirë të mbulonte shërbimin pa kushte që po i bëhej Portës së Lartë me kapitullimin e plotë të tyre.
Qëndresa heroike në frontet antimalazeze në Plavë e Guci dhe në Hot e Grudë dhe sidomos qëndresa e shqiptarëve në disa fronte për mbrojtjen e Ulqinit janë faktorët vendimtarë që mbyllën përfundimisht çështjen e përfitimeve greke në Epir, në Shqipërinë e Jugut. Ato i bindën fuqitë nënshkruese të Traktatit të Berlinit që nuk mund ta vinin më në diskutim autoritetin dhe nderin e tyre duke i detyruar shqiptarët sërishmi që të rrëmbenin armët.
Edhe një burrë shteti si Bismarku, i cili deri para pak kohe pat deklaruar se Shqipëria ishte për të një shprehje gjeografike, detyrohet të pranojë se “e ardhmja e Greqisë do të ishte e kërcënuar po të përfshinte ajo një pjesë tepër të konsiderueshme të kësaj race luftarake të panënshtruar të shqiptarëve, që ajo as do t’i zotëronte, as do t’i asimilonte”. Kjo logjikë, çuditërisht, nuk vlente për kancelarin gjerman edhe për rastin e tokave që po i dhuroheshin krajl Nikollës. Shqiptarët kishin dy vjet që luftonin kundër projekteve të Fuqive për zgjerimin e Malit të Zi të quajtur mikroskopik jo vetëm në rrethe antisllave të Evropës.
Lufta e shqiptarëve në mbrojtje të tërësisë së trojeve amtare në veri të Shqipërisë e detyroi diplomacinë evropiane të arkivojë rekomandimin e saj lidhur me kufijtë osmano-grek. Autorët e këtij rekomandimi nuk menduan asnjëherë ta shndërronin atë në vendim të prerë si vendimet e përsëritura për kufijtë osmano-malazezë, të cilët u detyruan t’i ndryshonin dy here. Ndërsa Greqisë as që i shkoi nëpër mend që ta shtronte çuarjen në vend të këtyre rekomandimeve me forcën e armëve të saj. Përvoja shqiptare e siguruar nën udhëheqjen e Lidhjes ishte e fuqishme. Në mënyrë të veçantë përvoja e luftës së shqiptarëve në disa fronte në mbrojtje të Ulqinit qe e freskët.
Mund të konkludohet pa pikë dyshimi që në Plavë e Guci, në Hot e në Grudë dhe sidomos në Ulqin u luftua edhe për mbrojtjen e Çamërisë. Çdo mendim tjetër ishte kapitullant me pasoja tejet të dëmshme dhe të rrezikshme për vetë fatin e Çamërisë aso kohe.
Vendosmëria e ulqinakëve, e shkodranëve, e kosovarëve dhe e dibranëve për mbrojtjen e Ulqinit rrezatonte fuqishëm dhe në viset e tjera shqiptare. Sipas kryekonsullit francez në Janinë, Viet: “Abdyl Frashëri, partizan i kryengritjes, po mundohet t’u futë (në kokë) toskëve ose shqiptarëve të Jugut idetë e mosnënshtrimit duke i quajtur gegët e Veriut një racë të pamposhtur”.
Ambasadori gjerman në Stamboll Hacfeld deklaronte se sulltani gjendej midis “Skillës së një veprimi të përgjithshëm të fuqive të mëdha dhe të Karibdit të një kryengritjeje të përgjithshme të shqiptarëve”. Ambasadori i Austro – Hungarisë, nga ana tjetër, shtonte se Turqia më tepër frikë kishte nji kryengritje shqiptare, se sa demostratën ndërkombëtare navale.
Më 10 shtator këshilli i ministrave nën kryesinë e sulltanit bisedoi për një ndërhyrje me forcë. Me këtë përfudnimi ishte i një mendimi dhe ministri osman Abedin Pasha. Ndërkaq ai vijonte të përpiqej t’i bindëte shqiptarët se shpëtimin e tyre duhej ta prisnin vetëm nga ruajtja dhe forcimi i lidhjeve me sulltanin. “Sulltani, deklaronte ai, do ta bëjë Shqipërinë të madhe dhe të fuqishme…”, “një ledh të fortë kundër lakmive të armiqve”. Porse disfata e thellë Stambollit në luftën ruso-turke dhe kapitullimi i tij në Shën Stefan përballë Rusisë cariste e bënte deklaratën e ministrit të sulltanit të pabesueshme për të mos thënë dhe qesharake. Ai dhe shokët e tij mjaftoheshin me kërkesën që sulltani të emëronte në pozitat drejtuese të vilajeteve të Shqipërisë qeveritarë shqiptarë. Zbatimi i kërkesave të tilla, si dhe ajo e unitetit të Shqipërisë, siç e deklaronte vetë ai, “nuk kishte të bënte aspak me çështjen e autonomisë së Shqipërisë”. Siç shihet, koncepti autonomist i elementëve të tillë nuk shkonte përtej sigurimit të posteve të tyre shtetërore në kuadër të Perandorisë Osmane, ishte shumë larg programit politik të Lidhjes së Prizrenit.
Për të thyer qëndresën e Degës së Shkodrës përveç grupit të Mustafa pashë Vlorës erdhi këtu posaçërisht nga Stambolli edhe vetë i biri i ministrit të jashtëm, Abedin pashë Dino.
Tërheqja e disa krerëve nga mbrojtja e Ulqinit nuk qe një dukuri lokale e cila mund t’u etiketohet vetëm krerëve veriorë. Hodo pasha dhe Prenk Bib Doda mbasi nuk morën pjesë në luftën për mbrojtjen e Ulqinit qenë përbuzë prej shkodranvet. Qëndrimet e tjera nuk u quajtën një politikë e zgjuar dhe largpamëse. Në tërheqjen e kapedanit të Mirditës ndikoi posaçërisht direktiva e Vjenës dhënë klerit katohlik në Shqiperi përmes Vatikanit që të këshilloheshin në këtë frymë besimtarët që të mos merrnin pjesë në mbrojtjen e Ulqinit, sepse tani ishte fjala për një territor mysliman dhe jo katolik si në rastin e Hotit dhe të Grudës.
Jo vetëm në Shkodër apo në Ulqin por dhe në viset e tjera shqiptare deri në Epir tërheqja e këtyre elementëve e quajtur kapitullim nuk munt të mos shkaktonte çoroditje.
Si përfundim, mund të thuhet me bindje se mbrojtësit e Ulqnit, të palëkundurit, luftuan në katër fronte. Përkrah forcave malazeze, osmane, dhe flotës ndërkombëtare, elementët kapitullantë dhe të lëkundur hapën në shpinë të tyre frontin e katërt të luftës kundër qytetit shqiptar dhe kundër autonomisë së Shqipërisë.
Në Ulqin shqiptarët luftuan jo vetëm për mbrojtjen e qytetit të Ulqinit por dhe për mbrojtjen e Çamërisë. Për më tepër, në Ulqin u luftua dhe për autonominë e Shqipërisë, çka e dëshmon qartë fakti që kjo kartë u përdor si mjet për të paralizuar mbrojtjen e qytetit.
Eshtrat e Haxhi Ymer Prizrenit, kryeministrit të pare dhe deri më tani i vetmi i Shqiperisë historike, pushojnë në tokën e Ulqinit. Gjithësesi ato pushojnë në tokë shqiptare në mesin e bashkatdhetarëve. Ato pushojnë në atë tokë në të cilën si në të gjitha trevat shqiptare u derdh gjak për tërësinë e tyre si dhe për lirinë e Shqipërisë. Është pikërisht Haxhi Ymer Prizreni me Abdyl Frashërin, përrfaqësuesin e Toskërisë përkrah, që u vunë, më 1880, në krye të luftës për sendërtimin e autonomisë për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për një pjesë të tyre. Haxhi Ymer efendiu mori përsipër të udhëhiqte përpjekjet që synonin të çonin në vend amanetin e atyre që luftuan dhe sidomos të atyre që dhanë jetën për mbrojtjen e Ulqinit. Dheu i larë me gjakun dhe sakrificat e tyre, gjithësesi, është i lehtë për ta.
Në rrugën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kane ecur deri me tani të gjithë shqiptarët të bindur se kjo nuk i bie ndesh rrugës së tyre drejt BE-së, me besimin se udhëheqja e saj e ka shkundur pluhurin e traktateve të shpallura dhe të fshehta të Evropës plakë, me shpresën se qeveritarët e sotëm të Ballkanit janë xhveshur nga mbeturinat e reminishencat e “Megaliidesë” dhe të “Naçertanijas”. /javanews.al