Megjithëse e ngritur në çdo dokument te BE, orientimi europian për pronën nuk ka qenë asnjëherë kaq i drejtpërdrejtë e publik sa në tryezën për pronën të organizuar ditën e premte.
Diplomatja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin tha se çështja e të drejtës së pronës është e drejtë thelemore e të drejtave të njeriut dhe si e tillë për Bashkimin Europian nuk negociohet.
Vlahutin shprehu shqetësim lidhur me situatën aktuale: “E kuptoj se ka njerëz që kanë legalizuar plazhe ranore, gurë si tokë bujqësore, madje arritën të legalizonin detin si tokë bujqësore dhe kjo është absurde.”
“Çështja e pronës është komplekse duke nisur me marrjen e pronës private gjatë komunizmit, ndjekur më pas nga një periudhë shumë e gjatë tranzicioni dhe shumë abuzimeve gjatë dekadave, përfshirë këtu, dhe abuzimet për qëllime politike e elektorale. Gjithashtu kur njerëzit me fjalë u ftuan të zaptojnë tokat. Përmend ligjin e famshëm 7501, ligjin e legalizimeve nga 2006 dhe ka shumë të tjerë që fatkeqësisht i japin më shumë të drejtë atyre që abuzuan sesa atyre që u abuzuan.
Shto dhe korrupsionin në gjykata, në institucione të ndryshme dhe në mënyrë të vecantë në nivel lokal” tha zonja Vlahutin.
Ambasadorja e BE ka qenë në zemër të procesit kur përmend se 97% e letrave që merr kanë lidhje me pronën.
” Ju do të vini re se unë nuk përdor termin ish-pronarë, sepse nuk ekziston diçka e tillë. Ju jeni ish-pronarë pasi ju të shisni apo të merrni kompensim për pronën tuaj. Deri në momentin kur asnjëra prej tyre nuk ndodh, ju jeni pronarë” u dha zemër ajo pronarëve shqiptarë.
Qendrimi europian permes ambasadores ka qene kategorik, ne te njejten menyre, qe ka paralajmeruar se nuk do te kete kompesim 100 per pronaret.
“Çështja e të drejtës së pronës është e drejtë thelemore e të drejtave të njeriut dhe si e tillë për Bashkimin Europian nuk negociohet. Është urgjente që praktikat abuzive të së shkuarës duhen të ndalen. Dhe ndërtimet pa leje në bregdet nuk duhet të legalizohen më. Të vendosen gjoba ndaj atyre që kanë përfituar nga toka e të tjerëve. Praktika europiane ka treguar se kompensimi 100% të pronarëve për pronat e marra nga regjimi komunist është i pamundur, dhe duhet një kompromis. Një tranzicioni të tillë kaq të gjatë dhe të vështirë nuk do t’i jepet fund pa një dialog” tha zonja Vlahutin
Ndërsa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj paralajmëroi ngritjen e një agjensie unike për integrimin e proceseve që lidhen me pronat.
Kuadri i ri ligjor synon ndërtimin e një agjensie unike që mundëson integrimin e të gjitha proceseve që kanë të bëjnë me pronën dhe trajtimin e titujve të pronësisë. Kjo agjenci do integrojë disa institucione brenda saj. Për periudhën tranzitore janë marrë një sërë masash si puna për evidemtimine pasurive të paluajtshme shtetërore në bregdet dhe ato të investimeve strategjike.
a.ç