Një i ri po lufton me vdekjen pasi u sulmua me benzinë dhe më pas iu vu flaka. Jefferson Quintanilha de Souza po bisedonte me një klient në kompleksin rezidencial Parque das Margaridas, në jug të Brazilit kur u sulmua.
Një person hyri në kabinën ku ndodhej i riu, i hodhi atij benzinë në fytyrë dhe ndezi çakmakun. Viktima, i cili nuk pati kohë të mbrohej, u përfshi menjëherë nga flakët dhe nisi të vraponte duke ulëritur nëpër ndërtesë.
Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje makabre, sipas asaj që shkruan e përditshmja “The Sun”, qëndroi në vendngjarje duke parë atë që kishte bërë dhe më pas u largua me qetësi.
Souza pësoi djegie në 60 përqind të trupit, kryesisht në pjesën e sipërme. Ai mësohet se ndodhet në gjendje kritike në spital.
Incidenti, që u filmua nga kamerat e sigurisë, tregon se autori erdhi me makinë përpara kompleksit rezidencial. Pasi parkoi, mori diçka nga makina dhe shkoi drejt hyrjes së recepsionit duke qëndruar aty për pak sekonda.
Sipas dëshmitarëve, ai e hapi shishen e vogël që mbante me vete përpara se të futej në ndërtesë.
Në këtë kohë, Souza po bisedonte me një klient dhe u kthye për të parë se kush ishte futur. Pikërisht në këtë moment në drejtim të tij u hodh benzinë dhe iu vu flaka.
Policia tha se ka mundur të identifikojë autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ai vijon të jetë në arrati. Sa i përket motivit, autoritetet thanë se nuk kanë mundur ende ta zbardhin atë. /b.d