“Forca e Ligjit” goditi dje një grup të strukturuar kriminal, anëtarët e të cilit, nën kërcënimin e armëve, vidhnin kasaforta në biznese të ndryshme në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit.
Policia arrestoi 5 persona, si dhe sekuestroi automjete, armë zjarri, lëndë narkotike, veshje, portofola me stema Policie e pajisje të tjera të përdorura për realizimin e grabitjeve, 11 prej të cilave të dokumentuara. Pas një pune disamujore me metoda speciale të hetimit, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me komisariatet dhe nën drejtimin e Prokurorisë, finalizoi operacionin policor të koduar “Kasaforta”. Gjatë këtij operacioni u arrestuan 5 persona, mes së cilëve edhe një ishpunonjës Policie, i cili kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu, i dënuar për “shpërdorim detyre”.
Të arrestuarit janë: Saimir Kuçi, 35 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje me armë; Elton Lika, 35 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje me armë; Valmend (Gjon) Pelivani, 27 vjeç, dënuar më parë për vjedhje; Donald Ahmetaj, 28 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje; ish-polici Engrid Hënaj, 31 vjeç, i dënuar më parë për shpërdorim detyre.
DREJTUESIT E GRUPIT
Dy prej të arrestuarve, Elton Lika dhe Saimir Kuçi, dyshohet të jenë drejtuesit e grupit kriminal që kryente grabitjen e bizneseve dhe banesën e një biznesmeni në zonën e Kamzës. Lika dhe Kuçi kanë qenë të dënuar edhe më parë për vjedhje me armë, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal prej 8 personash.
Ata u arrestuan për herë të parë më 13 dhjetor të vitit 2009, gjatë operacionit të koduar “Hijet e Natës”, për një seri vjedhjesh të bizneseve të mëdha dhe gjobëvëniesh. Elton Lika dyshohet të ishte një nga autorët e vjedhjes së bujshme të biznesmenit të ndërtimeve I.Ç., të cilit i morën në banesë kasafortën me 340 mijë euro, 5 mijë paund dhe 13.4 milionë lekë të rinj.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, në të gdhirë të datës 28 prill 2009, në një apartament në katin e nëntë të një pallati të ri në rrugën “Hamid Shijaku”. Gjithashtu, ky grup akuzohej edhe për vjedhjen në Ambasadën Daneze në Tiranë.
ma.me