Banda e grabitësve të kasafortave, që u godit nga Policia e Tiranës, cilësohej në skedarët e uniformave blu si një nga më të rrezikshmet.
Policia ishte vënë në ndjekje të tyre prej kohësh, madje në muajin mars u përball me ta në zonën e Fushë Prezës, por grabitësit arritën të largoheshin dhunshëm, duke rrezikuar edhe jetën e agjentëve civilë që merrnin pjesë në operacion.
Këtë herë, ata u zunë në befasi teksa po përgatiteshin për goditjen e radhës. Policia thotë se ka dokumentuar bastisjen e 11 bizneseve, por dyshimet janë që kjo bandë të jetë e përfshirë në më shumë se 20 grabitje, në disa qytete të Shqipërisë.
Bandës, së fundmi i ishte bashkuar edhe ish-efektivi i policisë, Engrid Hënaj, i dënuar më parë për vjedhje dhe dekonspirim.
“GPS” i makinave me qira që përdoreshin gjatë grabitjeve ka çuar fillimisht policinë në gjurmët e kësaj bande, që realizonte grabitje të bizneseve edhe në Durrës, Kavajë, Laç dhe Berat.
Policia i sekuestroi pajisje të posaçme për hapjen e kasafortave, ndërkohë që për shkak se procedimi për ta ishte regjistruar disa kohë më parë, ky grup u përfshi edhe si goditje e operacionit “Forca e Ligjit”.
Edhe në momentin e arrestimit në flagrancë, një prej grabitësve ka tentuar të nxjerrë armën, por është neutralizuar në kohë nga policia.
a.ç