Revista gjermane «Der Spiegel» atakon ashpër presidentin amerikan Donald Trump, i cili me një seri gënjeshtrash ka sulmuar hapur qeverinë gjermane dhe Bashkimin Europian. Ky president i SHBA-ve nuk do të jetë kurrë partner, ai është një kundërshtar agresiv, prandaj duhet të trajtohet si i tillë.
Donald Trump ka shkruar se gjermanët po kundërshtojnë udhëheqjen e tyre për shkak se ka lejuar të vijnë shumë refugjatë në Gjermani, ku është rritur kriminaliteti. Kjo fjali e Trumpit, e shkruar në Twitter, mediumin e tij të preferuar të propagandës, përmban dy genjeshtra. Genjeshtra e parë: në Gjermani nuk ka rritje të krimit prej se më 2015 kanë ardhur gati 1 milion refugjatë. Përkundrazi: niveli i krimeve bie prej vitesh, këtë e tregojnë statistikat zyrtare.
Genjeshtra e dytë e Trumpit ka të bëjë me kryengritjen e gjermanëve kundër qeverisë së kancelares Angela Merkel. Në fakt një partner i koalicionit, CSU e Bavarisë, po i bën presion të madh kancelares për të pranuar dëbimin e refugjatëve në kufi nëse ata janë regjistruar në një vend tjetër të BE-së.
Për kryengritje të gjermanëve kundër qeverisë nuk mund të flitet, megjithatë. Sulmet e Trumpit kanë nxitur reagime të ashpra në mediat gjermane. Revista «Der Spiegel» shkruan se, ndërsa Vladimir Putini përpiqet t’i mbulojë fushatat e tij dezinoformative kundër shteteve perëndimore, në synimet e Donald Trumpit nuk duhet pasur askush dyshim.
Prej se ka ardhur në pushtet, ai po zhvillon një fushatë shfarosjeje kundër marrëveshjeve bilaterale.
«Politika e jashtme këtij njeriu nuk i intereson, ajo për të është vetëm instrument i ideologjisë së tij nacionaliste America-first, e cila është e orientuar nga brenda.
Bashkëpunimi për Trumpin është dobësi. Shembulli më i ri: SHBA-të tërhiqen nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut», shkruan «Der Spiegel».
«Trump vepron hapur. Presidenti amerikan zhvillon tani edhe personalisht një fushatë të pandërprerë dezinformimi kundër Republikës Federale të Gjermanisë. Ai e përdorë atë për të arsyetuar para popullsisë amerikane politikën e tij moralisht të ndyrë ndaj refugjatëve.
Skenat e dhimbshme në kufirin jugor të SHBA-ve, ku fëmijë të përlotur ndahen brutalisht nga prindërit e tyre, sepse këta kanë gabuar kur kanë kërkuar një jetë më të mirë në SHBA për vete dhe familjet e tyre, ndërkohë e kanë vënë Trumpin në një situatë të pakëndshme edhe te përkrahësit e tij më të regjur.
Politika e tij e zero-tolerancës është një debakël publik, të cilin përpiqet ta shmang me të gjitha mjetet – edhe me sulme kundër Gjermanisë», nënvizon revista. Në një rrenë tjetër Trump tha se zyrtarët gjermanë qëllimisht i fshehin krimet e refugjatëve. «Der Spiegel» thekson se kjo gjuhë e Trumpit nuk duhet të kalojë pa konsekuenca, sepse është një sulm i hapur i një fuqie të huaj kundër qeverisë gjermane.
Nga Shtëpia e Bardhë ka përpjekje të drejtpërdrejta për të destabilizuar Gjermaninë. «Jo, ky president i SHBA-ve nuk do të jetë kurrë partner, ai është një kundërshtar i ashpër. Ne, më në fund, duhet të fillojmë ta trajtojmë atë si të tillë. Thirrja e ambasadorit amerikan dhe protesta formale mund të jenë hapat e parë. Raportet me këtë qeveri të SHBA-ve duhet të reduktohen në minimum.
Nuk është e nevojshme që në të ardhmen të shtiremi sikur jemi të përzemërt. (…) Ne qëmoti e kemi ditur se nën Donald Trumpin SHBA-të nuk do të jenë të besueshme. Më së voni tani është e qartë: duhet të ruhemi prej tyre». (dp)
ma.me