Pas vrasjes së katër demonstruesve në 21 Janar, mes tyre edhe e Ziver Veizit, e bija Ana u rrit mes bulevardit dhe shkallëve të gjyqësorit. Ditën e tragjedisë, Ana ishte 11 vjeçe dhe vit pas viti ne çdo homazh, imazhi i përlotur i saj shoqërohej nga politikanët që premtonin drejtësi.
Por drejtësia nuk foli as në këtë rast. Në mënyrë përfundimtare, Gjykata e Lartë e dënoi vrasësin e të atit me dy vjet burgim. Edhe në këtë rast, gjyqtar i çështjes ishte Shkëlzen Selimi, i njëjti që mbylli edhe tragjedinë e Gërdecin. Aso kohe, Ana denoncoi gjyqtarët e lartë.
“Dalë-ngadalë po më shuhet çdo shpresë, po mendoj se nuk do të gjejë drejtësi jo vetëm te shteti jo vetëm te gjykata, por askund”, shprehet më 29 prill 2016 Ana Veizi.
Pasi u zhgënjye nga politika e drejtësia bashkë, një dritë jeshile është hapur për Anën. E rritur para kohe, sot 18-vjeçarja pret që gjyqtarët si Shkëlzen Selimi të dalin para Vettingut.
“E kam ndjekur Vettingun, në fillim kisha shpresë se gjyqtarët që shkelën mbi kujtimin e babait tim do të gjykoheshin. Por kjo nuk po ndodh. Vettingu ecën shumë ngadalë dhe se kuptoj se si shumë gjyqtarë, së fundmi kam dëgjuar emrin e njërit prej tyre, Shkëlzen Selimit, si mund të flenë të qetë? A ka vetting për këtë gjyqtar dhe për të gjithë ata që ma vranë për së dyti babain”, thotë Ana Vizi.
Koha nuk ja ka hequr dhimbjen për të atin, por i ka fshirë nga mendja premtimin e Kryeministrit Rama se drejtësia nuk do të vonohej. E vetmja gjë që ka në dorë është të studiojë për shkak të një vendimi të marrë 7 vjet më parë.
“Dua të bëhem gjyqtare dhe të jap drejtësi për të gjithë ata njerëz që janë pa mbështetje. Dua të jem në krah të tyre”, thotë vajza e të ndjerit Ziver Veizi. /tch/b.d