Nga Armando Meta
Parlamenti duket se do të jetë i detyruar të marr një vendim të pazakontë: të mbrojë qytetetarët nga deputetët. Ky vendim qartazi duhet marrë sa më shpejt pas skenave të sotme në Kryesinë e Kuvendit. Ky vendim duket se do të jetë edhe unikal në historinë botërore të parlamentarizmit, pasi si rregull institucionet e sigurisë kujdesen të mbrojnë deputetët.
Kjo është një masë tejet e nevojshme që duhet marrë, po të kemi parasysh spektaklin e dhunshëm të deputetëve të PD ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pavarësisht se Veliaj ishte ftuar në bazë të rregullores së Kuvendit në komisionin e medias ku do të diskutohej për problematikën e teatrit, ardhja e tij në Kuvend është interpretuar si e paligjshme nga ana e kryetares së komisionit të medias, Albana Vokshi, e cila ka thirrur ‘grupin’ e gatshëm të deputetëve të PD të cilët ‘fali zot se s’dinin çfarë bënin’.
Edhe në rast se Veliaj do të kishte ardhur në komision ‘pa hyqmin’ e deputetëve, ka plot mënyra etike parlamentare për të mos zhvilluar mbledhjen e komisionit në praninë e tij. Por të flasësh për arsye, aq më shumë t’u kërkosh etikë parlamentare deputetëve të PD, është një mision i pamundur. Ata përfundimisht atë që dinë të bëjnë është të kapin për gryke këdo nga kundërshtarët politik që u del përpara. Kulti i dhunës si mjet politik është edhe një nga arsyet kryesore që PD rrudhoset politikisht dhe elektoralisht vit pas viti.
Agresiviteti i tejskajshëm i PD ndaj Veliajt ka motive që s’kanë aspak lidhje me teatrin. Me një fushatë që po u troket tek dera dhe koalicioni PD- LSI që s’ka asnjë kandidat për të nxjerrë në fushëbetejë kundër Veliajt për Bashkinë e Tiranës, qartazi të duket se dhuna e deputetëvbe të PD është thjeshtë një akt dësdhpërimi. Ata përgatiten të humbasin thellësisht në Tiranë në zgjedhjet e 2019 dhe këtë e lexon jo vetëm në deklaratat që bëjnë, por edhe në aktet e dhunës që rrezatojnë.
Tirana prej 3 vitesh ka bërë ndryshime të thella jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në mentalitet. Zhvillimi urban natyrshëm kultivon dhe një këndvështrim tjetër të jetës në kryeqytet. Të krahasosh qeverisjen e Tiranës nga Basha me atë të Veliajt është si të krahasosh ‘natën me ditën’. As që ja vlen të merresh me Bashën se si qeverisi Tiranën, pasi atë e përmbledh vetëm me 2 fjalë: E trupshme, e dështuar! Veliaj nuk është i përkryer. Natyrisht që nuk është i tillë. Ka difekte në punën e tij të cilat PD as merr mundimin t’i artikulojë, pasi e ka mëndjen te dhuna e jo te arsyeja.
Spektakli i dhunës që PD ofron në mes të Tiranës natyrisht që nuk kalon pa u vënë re nga qytetarët e Tiranës, pavarësisht se një deputet është zgjedhur në Kukës e tjetri në Pogradec. Me zgjedhjet te dera kjo dhunë duket qartazi se është një akt dëshpërimi që do ketë koston e vet elektorale për PD, madje një kosto mjaft të rëndë. Ne nuk harrojmë!