Në garën për një tjetër mandat akoma më të fuqishëm në krye të Turqisë, Erdogan ka përballë edhe një grua. Meral Aksener është 61 vjeçe dhe po shkon qytet më qytet për të siguruar mbështetjen e votuesve turq.
Ajo thotë se nëse arrin t’i japë fund regjimit të Erdoganit, do t’i mbledhë shamitë që gratë vënë në kokë për t’i vendosur mbi ish-pallatin presidencial në Ankara, një metaforë kjo për politikën agresive të ndjekur deri tani.
“Turqia është qeverisur nga një mashkull i ashpër për një kohë të gjatë”, tha ajo gjatë një takimi në Adana. Disa kanë nisur ta quajnë Zonja e Hekurt, një emër që dikur është përdorur për Theçerin në Britani. “Disa më thonë motër e disa nëna Meral. Jam e lumtur me këtë të dytën”, thotë ajo.
Aksener është e vetmja grua në garë për zgjedhjet presidenciale që Turqia mban më 24 qershor. Por nuk është gjinia veçantia e saj e vetme si kandidate. Me pikëpamje konservatore dhe nacionaliste të qëndrueshme në kohë, ajo ka shumë gjasa të marrë votues nga elektorati i Erdoganit. Sipas sondazheve, ajo do të renditet e treta.
Kandidati kryesor i opozitës, Muharrem Ince, i cili projektohet i dyti, e ka galvanizuar bazën e tij të qendrës së majtë. Por ai nuk ka gjasa t’i ndajë konservatorët siç mund ta bëjë Aksener.
Aksener tërheq pas vetes turma të tëra në qytetet turke, sidomos gra. Partia e saj, Iyi Party (Partia e Mirë) është e re në skenën politike, por vetë Aksener është veterane në politikë. Ajo ka qenë ministre e Brendshme për 8 muaj në kulmin e luftës kundër separatistëve kurdë, kur shkelja e të drejtave të njeriut ishte shqetësuese në Turqi.
Ashtu si kandidatët e tjerë opozitarë, Aksener premton se do të ndryshojë sistemin politik në Turqi, pas referendumit të fituar nga Erdogan vitin e kaluar.
“Unë kam luftuar me Erdoganin dhe sjelljen e tij të jashtëligjshme gjatë 3 viteve të fundit. Zgjedhjet drejt të cilave po shkojmë janë ato që dëshiron ai. Ky nuk është një sistem presidencial si ai i demokracive perëndimore”, thotë ajo. Edhe pse nuk shihet si kandidatja më e fortë opozitare, Aksener shihet si instrumenti që do të ndryshojë zgjedhjet që mbahen në fund të kësaj jave.
ma.me