60 fëmijë të qytetit të Beratit, një pjesë e mirë e të cilëve, të komuniteti rom dhe egjiptian nga sot kanë mundësi të ndjekin arimin parashkollor në kushte dinjitoze, pas rindërtimit të çerdhes numër 7 në lagjen ‘Donika Kastrioti’ në këtë qytet.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ditmir Bushati, Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, deputetë, përfaqësues të PNUD-it, përfaqësues të institucioneve vendore, prindër të fëmijëve, etj.
“Krijimi i mundësive për përshirjen e fëmijëve romë dhe egjiptianë sa më herët në ciklin e edukimit është mënyra më e mirë për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian, ndaj jam shumë e kënaqur që jam pjesë e këtij aktiviteti të veçantë këtu në Berat, në këto ambjente krejtësisht të rinovuara që do t’u mundësojnë 60 fëmijëve, mes të cilëve një pjesë e mirë të komunitetit rom dhe egjiptian, të ndjekin arsimimin e hershëm në kushte dinjitoze. Dhe modele të tilla duhet të replikohen në të gjithë vendin”, tha Manastirliu në fjalën e hapjes.
Duke u ndalur te zbatimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve, Ministrja theksoi se qeveria shqiptare ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës, aksesin në shërbime së komuniteteve Rome dhe Egjiptiane, si edhe nxitjen e dialogut ndërkulturor.
Investimi prej 12 milion lekë në çerdhen numër 7 në Berat është pjesë e projektit ESERE të qeverisë shqiptare me financimin e Bashkimit Europian.
Ky nuk është investimi i parë i Projektit “Fuqizimi ekonomik dhe social për romët dhe egjiptianët – shtysë për përfshirjen sociale”. Katër bashki janë pjesë e projektit që ka për synim përfshirjen sociale të komunitetit rom dhe egjiptian.
Rreth 1200 romë dhe egjiptianë jetojnë sot në kushte dinjitoze falë ndërhyrjeve në infrastrukturë të mbështetura nga ky projekt në Tiranë, Berat, Durrës dhe Shkodër. “Ne shpresojmë që ta zgjerojmë bashkëpunimin për ti krijuar më shumë mundësi integrimi dhe përfshirje sociale personave të këtyre komuniteteve sa i takon strehimit dhe shërbimeve bazë, por edhe punësimit dhe përfshirjes në vendimmarrje”, tha Manastirliu. /b.d