Një grup me gazetarë austriake kanë zbarkuar në Shqipëri këto ditë.
Ata janë pritur në kryeministri nga Edi Rama, mes spekulimeve se Austria i ka kërkuar Shqipërisë që të presë refugjatët e refuzuar nga Europa.
Gazeta e njohur austriake, Kurier shkruan se kryeministri Edi Rama do të hapë një ekspozitë në Austri.
Sipas gazetës, 53-vjeçari Rama është një artist i njohur ndërkombëtarisht.
Në shkrim thuhet se Rama vizaton gjatë kohës kur i duhet të punojë, pasi kjo i shërben për përqendrim.
Pas vlerësimeve për artin, vjen edhe momenti për konstatimet mbi qeverisjen e Edi Ramës.
“Kundërshtarët, përfshi edhe ata brenda partisë, e akuzojnë për aleanca të dyshimta. Për shembull, e akuzojnë se fle në një krevat me oligarkët, në mënyrë që të ketë para për të blerë vota. Sigurisht, me stil e humor, Rama i fshin të tilla akuza nga tavolina e tij”, shkruan gazeta.
Sipas gazetës austriake, Shqipëria pret në fund të qershorit vendimin nëse do hapen negociatat.
“Takimi i qershorit do të vendosë nëse do të hapen negociatat, por duket se semaforët për Shqipërinë janë të kuq. Por “Edi i kuq” dëshiron të vazhdojë të luftojë, veçanërisht pasi thotë se nuk ka asnjë alternativë ndaj BE-së. “Për ne, dielli lind në perëndim,” thotë Rama”.
a.ç