Vetëm dy ditë larg debutimit në kampionatin Botëror, kampionët në fuqi të Gjermanisë duket se nuk gëzojnë besimin e plotë të tifozëve. “Pancerat”, që triumfuan në Brazil 4 vite më parë, nuk po shfaqen në të njëjtën formë dhe për këtë arsye besimi se ata mund t’ia dalin ka rënë ndjeshëm, madje kjo pasqyrohet edhe në shtypin vendas.
Prej kohësh qetësia përreth ekipit ka humbur. Joachim Low është kritikuar për lënien jashtë të Leroy Sane, ndërsa Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan janë kritikuar dhë vërshëllyer nga publiku pas publikimit të fotove me presidentin turk Erdogan.
Në miqësoret e fundit skuadra nuk ka bindur plotësisht. Pas ndeshjes hapëse të Botërorit, me të drejtë shtypi gjerman ngre pikëpyetjet mbi formën dhe forcën e kampionëve të botës në fuqi. E përditshmja “Bild”, pas suksesit 5-0 të Rusisë ndaj Arabisë Saudite, shkruan: “A është Rusia më e fortë sesa skuadra e Jogit?”.
Sigurisht që dueli direkt për momentin mungon, por gjithçka lidhet me testin e fundit miqësor që Gjermania zhvilloi pikërisht me Arabinë Saudite, duke e fituar ngushtë në shifrat 2-1, por, mbi të gjitha, pa treguar lojë të mirë, shkruan “SS”. Natyrshëm që diferenca është e madhe mes të luajturit një miqësore (e fundit përpara startit të kompeticionit) dhe ndeshjes së parë të Botërorit (për më tepër që Rusia është skuadra pritëse).
Megjithatë, një e vërtetë e vogël ekziston: ndryshe nga 4 vite më parë, kur e tërë Gjermania brohoriste me të madhe se jemi për titullin kampion, sot besimi se formacioni i Loë mund të përsëritë suksesin e 2014-ës është ulur ndjeshëm. Të dielën, ndaj Meksikës, “Pancerat” duhet të tregojnë në fushë se janë të denjë të mbrojnë titullin.
ma.me