Pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë për vendosjen e emrit, opozita greke ka dorëzuar një mocion mosbesimi në parlament. Kryetari i opozitës greke, i partisë më të madhe opozitare në Greqi “Demokracia e Re”, Kyriakos Mitsotakis është shprehur kundër marrëveshjes Tsipras-Zaev.
Mitsotakis ka thënë se marrëveshja nuk mbron interesat kombëtare të shtetit helen. Në një reagim në faqen e tij zyrtare në Facebook, ai shkruan se detyra e popullit grek është të ndalojë zbatimin e marrëveshjes.
“Asnjëherë më parë një qeveri greke nuk ka pranuar “gjuhën maqedonase” dhe “etninë maqedonase”. Ajo çfarë ka rëndësi është më e mira për vendin tonë. Marrëveshja e Shkupit bie ndesh me atë çfarë nuk mund të rregullohet. Është detyra ime të bëjë gjithçka që mundem për t’a parandaluar këtë gjë në kohë.Kam një detyrim ndaj popullit grek të parandalojë “vdekjen” e të ardhmes së vendit me një marrëveshje të keqe e cila cënon interesat tona kombëtare. Pranimi i gjuhës maqedonase dhe etnisë maqedonase është e papranueshme”, tha Kyriakos Mitsotakis, kryetar i partisë Demokracia e re.
Mocioni i mosbesimit pranohet vetëm nëse kalon në parlament dhe pranohet nga 151 deputetë. Parlamenti grek ka një numër prej 300 deputetësh, ku dy partitë qeveritare në koalicion me njëra-tjetrën, Syriza dhe Grekët e Pavarur kanë një shumicë prej 153 deputetësh, çka e bën të vështirë aprovimin e mocionit të mosbesimit.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe ai maqedonas, Zoran Zaev, u dakordësuan për emrin e ri të Maqedonisë pas një procesi të gjatë negociatash. Emri kushtetues i shtetit fqinj do jetë Republika e Maqedonisë së Veriut.
ma.me