Egjipti “merr frymë” Mohamed Salah do të jetë në fushë kundër Uruguajit. Salah ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm me Liverpool dhe tani ai është kthyer edhe në një hero kombëtar. Pesë golat e shënuar nga sulmuesi në gjashtë ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës, e kanë ndihmuar Egjiptin të sigurojë një vend në Kupën e Botës, për herë të parë në pothuajse 30 vite.
Salah ishte në dyshim për ndeshjen hapëse pas dëmtimit të pësuar në finalen e Champions League të luajtur dhe humbur kundër Real Madrid, por tajneri Hector Cuper ka konfirmuar se ylli i ekipit do të luajë kundër Uruguajit. “Është pothuajse në 100% të formës dhe do të luajë”, kanë qenë fjalët e trajnerit argjentinas para ndeshjes. Uruguaji, nga ana tjetër, do të paraqitet në këtë ndeshje pas një fitore bindëse 3-0 të marrë kundër Uzbekistanit dhe duke mos pësuar gol në tre takimet e fundit. Soliditeti i tyre në mbrojtje nuk është një surprizë, duke parë se ata kanë në përbërje dyshen e Atletico Madrid, Diego Godin dhe Jose Gimenez.
Amerikanojugorët me dyshen e frikshme Cavani-Suarez kanë një sulm për t’u pasur zili. Sulmuesi i Barcelona-s është i preferuari i uruguaianëve, por Cavani ka qenë ylli i kombëtares në kohët e fundit. Ai ka qenë golashënuesi më i mirë në kualifikueset e grupit të Amerikës së Jugut, me 10 gola në 18 ndeshje. Forma e tij e mirë ka vazhduar edhe në ndeshjet e fundit, me tre gola të shënuar në katër ndeshjet e luajtura me Uruguain.
a.ç