Pas 30 ditëve agjërim, lutje, adhurime, besimtarët myslimanë shqiptarë, dhe ata në mbarë botën, sot festojnë Fitër Bajramin.
Ditën e sotme mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e Fitër Bajramit në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në qytetin e Tiranës.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skender Bruçaj u lut që Zoti t’i ketë pranuar agjërimin, adhurimet dhe lutjet që janë bërë gjatë këtij muaji të madhnueshëm.
“Krijuesi i gjithësisë me rastin e Fitër Bajramit na sjelltë paqe, begati, mirësi dhe shëndet në familjet tona dhe në mbarë shoqërinë shqiptare.”
Bruçaj tha se Bajrami është kohë e takimeve vëllazërore, është momenti i shprehjes së dashurisë dhe respektit për familjet tona, për fqinjët tanë dhe për të gjithë njerëzit që na rrethojnë.
Myftiu i qytetit të Tiranës Ylli Gurra uroi që të gjithë sakrificat e besimtarëve gjatë muajit të agjerimit të pranohen.
“Bajrami është dita e besimit të brengave, dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, dita e një jete të re, e pendesës për gabimet, e projekteve dhe veprave të mira. Dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund. Bajrami është solidarizim me mbarë shoqërinë. Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë“, tha Myftiu i qytetit të Tiranës Ylli Gurra
Fitër Bajrami është momenti kur ne falënderojmë Krijuesin e gjithësisë për begatitë dhe mirësitë që na ka dhënë. Bajrami është koha kur ne i japim kuptim të sotmes dhe ndërtojmë shpresën per të ardhmen e ndritur. Bajrami është festë për zemrën, festë per shpirtin, festë për të gjithë myslimanët anembanë botës.
Javanews.al ju uron gjithë besimtarëve: Gëzuar Fitër Bajramin
a.ç