Donald Trump u akuzua sot nga Shteti i Nju Jorkut për përvetësim fondesh nga fondacioni i tij për qëllime personale, një sulm që prek nga shumë afër bizneset e presidentit amerikan, i cili i cilësoi menjëherë si “qesharake”.
Donald Trump, i cili festoi sot 72 vjetorin e lindjes po përballet tashmë edhe me thirrje për paraqitje në gjyq, veçanërisht nga dy gra me të cilat ai kishte patur lidhje. Ai po përballet gjithashtu me një hetim në shkallë të gjerë të kryesuar nga prokurori i pavarur, Robert Mueller për lidhje të mundshme mes stafit të tij elektoral dhe Rusisë.
Ankesa në civile u depozitua sot nga prokurorja e përgjithshme e Shtetit të Nju Jorkut ndaj tij dhe fëmijëve Donald Jr., Erik dhe Ivanka administratorë të fondacionit, nuk pritet të kalojë në një çështje penale apo të sjellë një element vendimtar për ata të cilët janë pro një procedure shkarkimi të presidentit.
Ajo prek sidoqoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë menaxhimin e bizneseve dhe kompaninë që mbikëqyr pasuritë e tij, « Trump Organization ».
Ndërkohë që demokratët akuzojnë prej muajsh presidentin për konflikt interesi për mos shitjen e aksioneve të tij në «Trump Organization », ankesa nxjerr në dritë ndërlidhjen mes « Trump Organization » dhe fondacionit.
Thirrja për në gjyq konfirmon gjithashtu se fondacioni, për të cilin vetë Trump nuk kishte dhënë më para që nga viti 2008, nuk kishte punonjës të mirëfilltë. /b.d