Propozimi i pronarëve të televizioneve private për të përfituar 50 për qind të fondeve që qytetarët shqiptarë paguajnë për transmetuesin publik si dhe përjashtimin e këtij të fundit nga tregu i reklamave me pagesë kundërshtohet nga RTSH dhe opozita, ndërsa qeveria hesht.
Nga Aleksandra Bogdani
Teoria e mbështetjes së medias nga fondet publike përballet me kritikë të panumërt, të cilët i druhen kërcënimit të pavarësisë së gazetarëve dhe editorëve nga politika dhe qeveritë. Por në Shqipëri, pronarët e gjashtë televizioneve kryesore private janë bashkuar rreth një plani për të përfituar fonde publike, me pretendimin se kjo do t’i shërbejë “promovimit të pavarësisë së medias”.
Propozimi është sigluar nga Shoqata e Mediave Elektronike Shqiptare e drejtuar nga Aleksandër Frangaj dhe përbën lëvizjen e dytë të saj për ndryshimin e ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Në korrik 2016, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin 62/3 të kufizimit të pronësisë pas padisë së ngritur prej saj.
Përveç Frangajt, dokumenti është firmosur edhe nga pronarja e Top Channel, Vjollca Hoxha, televizioni News 24 i Irfan Hysenbelliut, Ora News i Ylli Ndroqit dhe Report TV i Carlo Bolinos.
Propozimi u hodh për konsum publik gjatë një takimi të zhvilluar mes përfaqësuesve të mediave dhe kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sala më 11 qershor. BIRN mësoi se drafti ka mbërritur më herët në tryezën e ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.
“Sot publiku shqiptar paguan tarifën për përdorimin e aparatit, tarifë e cila shkon 100 për qind për televizionin publik. E ndërkohë që publiku që paguan për televizionin shtetëror, çdo natë sheh televizionet private në masën 98 për qind,” argumentoi në takim Aleksandër Frangaj, njëherazi pronar i TV Klan dhe aksioner i ABC News.
Përfaqësuesit e mediave të tjera i mëshuan dobive të financimit nga fondet publike, të tilla si promovimi i pavarësisë, nxitja e gazetarisë investigative, mbrojtja e publikut nga lajmet e rreme, krijimin e bordeve të etikës apo trajnimit të gazetarëve.
Projektligji i paprecedentë, një kopje e së cilit disponohet nga BIRN synon ndarjen e fondit që mblidhet nga tarifa e aparatit televiziv gjysmë për gjysmë mes transmetuesit publik, RTSH dhe operatorëve privatë të cilët kanë në platformat e tyre edicione informative. Drafti i propozuar nga pronarët e mediave kërkon gjithashtu përjashtimin e transmetuesit publik nga tregu i reklamave me pagesë.
Çdo familje shqiptare paguan 1200 lekë në vit tarifë për aparatin marrës televiziv-e cila mblidhet bashkë me faturën e energjisë dhe ka shërbyer për financimin e Radio-Televizionit Shqiptar përgjatë dy dekadave të fundit. Të ardhurat e RTSH-së nga kjo tarifë për vitin 2017 kapën vlerën e 1.18 miliardë lekëve [9.2 milionë euro].
Devijimi i kësaj tarife nga transmetuesi publik në një fond të financimit të transmetimeve qëndron në zemër të draftit, i cili parashikon me tej edhe ndarjen e parave.
“Pesëdhjetë për qind e shumës së përgjithshme të të ardhurave të mbledhura nga tarifa e përdorimit të aparateve televizive do të përdoret për aktivitetin vjetor të RTSH-së, ndërsa 20 për qind…do të përdoret nga RTSH-ja për pajisjen me aparate marrës (dekodera) për publikun,” thuhet në projektligj.
“Tridhjetë për qind e shumës së përgjithshme të të ardhurave… shkon për mbështetjen e televizioneve private të licensuara për transmetime analoge të mbështetura në gazetari, si dhe për transmetimin e reklamave sensibilizuese për publikun,” shtohet aty. Televizionet private synojnë të marrin edhe 20 për qindëshin e parashikuar për dekodera pas përmbylljes së kalimit nga transmetimet analoge në ato dixhitale.
Përveç ndarjes përgjysmë të tarifës së paguar nga qytetarët shqiptarë mes transmetuesit publik dhe televizioneve private, drafti zbulon edhe dakordësinë mes pronarëve të medias për ndarjen e parave mes tyre.
Në paragrafin e dytë të nenin 131/2 parashikohet që 65 për qind e fondit të destinuar për mediat private do të ndahet mes televizioneve me program gjeneralist dhe 35 për qind e tij për televizionet informative analoge, të cilat në dy vitet e fundit “kanë transmetuar minimalisht 7 edicione të plota informative çdo ditë”.
Projektligji i propozuar nga pronarët e televizioneve private në Shqipëri nuk ngjason me asnjë model Europian të mbështetjes së medias me fonde publike. Shtete si Finlanda, Franca apo Gjermania ndjekin politika lehtësuese fiskale vetëm për shtypin e shkruar dhe në disa raste, japin mbështetje direkte financiare për segmentë të biznesit si shpërndarja apo gazeta të minoriteteve. Ndërsa Italia mbështet televizionet e rajoneve apo ato që transmetojnë në gjuhën e minoriteteve.
Plani i pronarëve të medias për të përfituar gjysmën e fondeve publike është pritur me shqetësim nga Radio Televizioni Shqiptar, buxheti i të cilit pritet të përgjysmohet dhe është denoncuar si antikushtetues nga deputetë të opozitës. Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë dhe të mazhorancës kanë heshtur.
Thoma Gëllçi, drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së i tha BIRN se institucioni që ai drejton nuk do t’u kalojë asnjë qindarkë privatëve nga tarifa, që sipas tij edhe e plotë është e pamjaftueshme.
“Fondet që RTSH merr aktualisht nga publiku janë të pamjaftueshme. RTSH mban barrën kryesore të dixhitalizimit, duke mbështetur në platformën e saj edhe mediat private, paguan kredi dhe tarifën e shërbimit [për rrjetet numerike] në një vlerë të përafërt prej 5.7 milionë euro në vit,” tha Gëllçi.
“Nuk jemi ne përgjegjës se ç’bën politika,” shtoi Gëllçi.
Deputeti demokrat, Luçiano Boçi e denoncoi projektin e paraqitur nga pronarët e mediave si “propozim të Ramës”, që ka për synim të deformojë ligjin e miratuar me konsensus në vitin 2013 për mediat audiovizive.
“Ky propozim kundërshtohet plotësisht nga ana jonë, pasi prish konkurrencën mes mediave dhe dobëson transmetuesin publik,” tha Boçi, duke paralajmëruar një votë kundër të opozitës për të.
“Ky është një donacion qeveritar që ka për qëllim deformimin e mbulimit mediatik në favor të saj. Në mënyrë cinike në raportin e ndryshimeve theksohet se këto financime publike të televizioneve private me demek do rrisin pavarësinë e lirinë e këtyre mediave,” shtoi Boçi.
Drafti i propozuar nga pronarët e mediave ka mbërritur në AMA në datën 5 qershor dhe në 8 qershor, kryetari i AMA-s, Gentian Sala ia ka përcjellë ministrit të Financave, Arben Ahmetaj si institucioni që ka tagrin të dërgojë projektligje me karakter ekonomiko-financiar në tryezën e Këshillit të Ministrave.
Në shkresën përcjellëse, kryetari i AMA-s, Sala është rezervuar të mbajë një qëndrim.
“Ju bëjmë me dije se AMA do të shprehet mbi përmbajtjen e ndryshimit të propozuar të ligjit nëse do t’i kërkohej prej Kuvendit të Shqipërisë dhe pasi bordi i tij të shqyrtojë projektligjin në tërësi,” shkruan Sala.
Deputetët socialistë në Komisionin Parlamentar të Medias dhe Edukimit hezituan gjithashtu të komentojnë nëse do ta mbështesin ose jo projektligjin. Nënkryetarja e këtij komisioni, Milva Ikonomi nuk u përgjigj deri në botimin e këtij shkrimi, ndërsa deputeti Fidel Ylli tha se nuk e kishte lexuar ende projektligjin e prezantuar nga pronarët e mediave private.
Deputeti Musa Ulqini, i cili është edhe relator i AMA-s dhe RTSH-së në Komisionin e Medias tha gjithashtu se nuk ishte informuar nga askush.
“Unë kam zero informacion për këtë çështje,” tha Ulqini.
a.ç