Tregu i barnave është zgjeruar me 16% vitin e kaluar dhe është rritur me 2.2 herë gjatë dekadës, ndërkohë që operatorët e mëdhenj kanë rritur të ardhurat prej rritjes së konsumit të medikamenteve.
Mirëpo ndryshimi i shpeshtë i politikave të rimbursimit, mbingopja me operatorë në tregun e pakicës dhe lejimi me ligj i monopoleve vertikale kanë dobësuar fitimet, sidomos tek operatorët e pakicës. Importuesit e mëdhenj po rrisnin shitjet, por rritja e arkëtimeve nga shitjet është frenuar vitin e kaluar nga rënia e çmimeve dhe nënçmimi i euros. Tetë problemet e mëdha të tregut
Nga Blerina Hoxha
Teksa shitjet me pakicë janë futur në një cikël krize, tregu i farmaceutikës po përjeton një epokë lulëzimi gjatë kësaj dekade, dhe perspektiva po shihet me optimizëm nga operatorët e mëdhenj. Popullsia e vendit, me të dhëna zyrtare (INSTAT) në vitin 2018 është 300 mijë banorë më pak se në vitin 2008, por përdorimi i produkteve farmaceutike gjatë kësaj periudhe është rritur me 1.2 herë, kurse tregu i farmaceutikes është zgjeruar me 2.2 herë në vlerë. Plakja e popullsisë, rritja e sëmundshmërisë, jetëgjatësia dhe vëmendja më e madhe ndaj kujdesit shëndetësor kanë rritur shitjet.
Gjatë vitit të kaluar, tregu i ilaçeve shënoi një vlerë prej 31 miliardë lekësh (230 mln euro) duke u zgjeruar me 16% në krahasim më një vit më parë. Shifrat mbi tregun u kalkuluan duke marrë në konsideratë vlerën e importit të medikamenteve, prodhimin vendas nga Profarma dhe marzhin e fitimit të përcaktuar me vendim qeverie (12-24%).
Por rritja e tregut nuk është reflektuar në të njëjtën masë edhe në të ardhurat e kompanive të mëdha, për shkak të uljes së çmimit të ilaçeve dhe efekteve të kursit të këmbimit. Rejsi Farma, operatori më i madh i tregut të farmaceutikës, raportoi të ardhurat nga shitjet rreth 3.5 miliardë lekë në vitin 2017, me një rritje 0.5% krahasuar me një vit më parë.
Administratorja e Rejsi Farma, zonja Merita Sheqi, tha se shitjet në sasi vitin e kaluar kanë qenë më të larta, por të ardhurat nuk kanë ndryshuar për shkak të uljes së çmimeve dhe efekteve të kursit të këmbimit euro -lekë. Zonja Sheqi është optimiste për zhvillimet e ardhshme në treg, për shkak se shumë shpejt do të hyjë në zbatim rregullorja mbi Praktikat e Ruajtjes dhe Shpërndarjes së Barnave, e cila do ta vërë tregun në shinat e standardeve më të mira europiane. Rejsi Farma, i ka përmbushur prej kohësh këto standarde, që tashmë do kërkohen me ligj për të gjithë.
Por kryetarja e Urdhrit të Farmacistit, zonja Diana Toma, vlerëson se tregu i farmaceutikës, sidomos pakica, është nën kërcënimin e monopoleve vertikale, ku importuesit po shtrihen edhe në rrjetet e pakicës, teksa qytetet e mëdha, sidomos Tirana, po vuajnë nga mbingopja me operatorë. Zonja Toma sqaron se tregu është defektoz që nga politikat arsimore e deri te rregullimet ligjore dhe rregullatore, teksa tërheq vëmendjen për më shumë seriozitet. Ajo tha se tregu i pakicës nuk ka normat e fitimit që i takojnë, për shkak se marzhet janë të përcaktuara nga shteti, teksa pakica vuan së tepërmi nga falimentet dhe prurjet e reja.
Tregu i medikamenteve 10% prodhimi vendas, 90% importi
Prodhimi vendas i medikamenteve zë afërsisht 10% të tregut të medikamenteve. Vitin e kaluar, importi i barnave arriti një vlerë rreth 25 miliardë lekë, ndërsa shitjet e Profarmës në të njëjtin vit ishin afërsisht 2.5 miliardë lekë, sipas të dhënave nga kompania. Ndërsa importi i medikamenteve është rritur me rreth 16% vitin e kaluar, prodhimi vendas ka zgjeruar tregun me 0.8%.
Administratorja e Rejsi Farma, Merita Sheqi, importuesi më i madh në vend i medikamenteve pohon se, rritja e importeve po nxitet nga rritja e jetëgjatësisë, rritja e sëmundshmërisë dhe polarizimi i shoqërisë. Ajo tha se rritjet më të mëdha i kanë barnat që lidhen me sëmundjet e qarkullimit të gjakut, ato kardiake dhe të tumoreve, dhe shton se është rritur dukshëm përdorimi i antibiotikëve.
Ekspertët e tregut pohojnë se vitet e fundit, importi në rritje e medikamenteve po nxitet edhe nga politikat e rimbursimit të qeverisë. Kjo për shkak se, se si alternativë e parë përcaktohen prodhimet e Profarmës, teksa kjo nxit që alternativat e tjera të importohen me çmime të lira sidomos nga Turqia.
Rimbursimi, zë 27% të tregut më 2017
Tregu i medikamenteve, vitin e kaluar, ishte 31 miliardë lekë, teksa shuma që qeveria vuri në dispozicion për rimbursimin nëpërmjet Fondit të Sigurimit Shëndetësor ishte 10 miliardë lekë, duke zënë 32% të tregut. Fondi i rimbursimit u rrit më 2017 vetëm 3,5% në raport me 2016. Shqiptarët kanë kosto të larta të trajtimit të shëndetit edhe për faktin se qeveria vë shumë pak fonde në dispozicion për rimbursimin e ilaçeve.
Sipas të dhënave krahasuese nga Observatori Global i Shëndetit për 2016, Shqipëria rimburson rreth 25% të shitjeve të ilaçeve nga farmacitë, teksa ky nivel është shumë i lartë në vende të tjera europiane me të njëjtat kushte zhvillimi. Ish-republikat ruse i kanë nivelet e rimbursimit 35-40% të shitjeve në farmaci. Nivelin më të ulët të rimbursimit të ilaçeve nga shteti e ka Malta me 20%, ndërsa rimbursimet më të mëdha i kryejnë Britania e Madhe dhe Luksemburgu me mbi 85% të shitjeve nga farmacitë. Ekspertët e sektorit e lidhin nivelin e ulët të rimbursimit të ilaçeve në Shqipëri me financimet e pakta që buxheti i shtetit jep për sektorin e shëndetësisë.
Ndër 43 vende europiane, Shqipëria renditet e fundit për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Sipas agregateve fiskale të publikuara nga FMN, për periudhën 2012-2015, shihet se shpenzimet e Shqipërisë në drejtim të shëndetit janë vetëm 2.8% e PBB-së, teksa mesatarja europiane për këtë tregues ishte 6%. Në këtë renditje, Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës së saj. Bosnja akordon 6.9% të fondeve në raport me PBB për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia, 6.4%; Maqedonia, 4.3%; Mali i Zi, 4% dhe Serbia, 6.1%.
Për shkak të kësaj situate, shqiptarët paguajnë kostot më të larta për shëndetësinë në krahasim me vendet e tjera në Europë. Sipas Bankës Botërore, shqiptarët paguajnë me cash nga të ardhurat e tyre 50% të kostove totale për kujdesin shëndetësor. Në vende të tjera të rajonit dhe Europës, këto pagesa janë shumë të ulëta.
Importuesit rrisin shitjet, fitimet dëmtohen nga rënia e euros
Të ardhurat e kompanive farmaceutike më të mëdha në vend kanë reflektuar zhvillimet në konsum. Sipas të dhënave nga bilancet të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, disa nga distributorët e mëdhenj të medikamenteve kanë parë rritje me ritme dyshifrore. Rejsi Farma, operatori më i madh në treg, raportoi të ardhura nga shitjet rreth 3.6 miliardë lekë në vitin 2016, me një rritje 12.3%.
Ndërsa vitin e kaluar, sasia e barnave të shituara është rritur, por xhiroja e kompanisë është rritur me vetëm 0.5%. Zonja Sheqi tha se të ardhurat nga shitjet nuk kanë pësuar ndryshim të madh më 2017, për shkak se çmimet janë ulur për shkak të politikave të rimbursimit dhe efekteve të kursit të këmbimit lek-euro.
Gjithashtu, Delta Farma rriti të ardhurat nga shitjet më 2017 në mbi 20%. Rritje u pa në të gjithë distributorët e mëdhenj. Edhe kompanitë Megapharma dhe Trimed panë rritje të qarkullimit vjetor me përkatësisht 33% dhe 37% në vitin 2016, sipas të dhënave nga bilancet. Rritje të të ardhurave raportoi edhe kompania vendase e prodhimit të medikamenteve, Profarma me rreth 6%. Shtatë distributorët më të mëdhenj rritën të ardhurat nga shitjet me 20% më 2016, në raport me 2015-n. Çmimet e barnave ndryshe nga produktet e tjera, janë të përcaktuara dhe të kontrolluara.
Çmimi i barnave në treg është i kontrolluar dhe bazohet mbi çmimet CIF të importit, të deklaruara nga kompanitë mbajtëse të autorizimit të tregtimit dhe mbi bazën e çmimeve të prodhimit për barnat e prodhuara në vend, të deklaruara nga prodhuesi vendas. Kontrolli i çmimit të barnave në treg, si dhe diferencimi në çmim i barnave gjenerike dhe atyre origjinatore realizohen përmes marzheve të fabrikimit e të tregtimit, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Lista e barnave me rimbursim përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Faktorët që nxisin tregun e medikamenteve
Rritja e barrës së sëmundjeve dhe çmimet e lira të produkteve farmaceutike po nxisin rritjen e konsumit të barnave. Më 2014, qeveria shqiptare përjashtoi ilaçet nga TVSH-ja. Gjithashtu, lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar dukshëm. Sipas të dhënave zyrtare të FDSKSH-së, Lista e Barnave të Rimbursueshme 2016 përmban 1.070 alternativa tregtare, nga të cilat 527 janë alternativa të para, nga 489 që përmbante Lista e 2015-s. Nga krahasimi i Çmimeve Referencë 2016/2015, rezulton rënie mesatarisht 6.9% të çmimeve në Listën e Barnave të Rimbursueshme 2016, ose në vlerë absolute rreth 343 milionë lekë.
Kjo do të thotë se, edhe në Listën e Barnave të Rimbursueshme 2016 kanë vazhduar të vijnë çmime më të ulëta se vitet paraardhëse. Por mjekët pohojnë se pikërisht çmimi i ulët ka nxitur konsumin e barnave. Tani, një pjesë e konsiderueshme e preparateve dhe produkteve farmaceutike vijnë nga Turqia. Importet e medikamenteve nga ky shtet shënuan rritje me 175% në vitin 2017, në krahasim me 2013-n, duke çuar atë në vendin e katërt ndër shtetet nga të cilat Shqipëria importon. Duke qenë se ilaçet kushtojnë më lirë, mjekët kanë rritur dozimin për të qenë të sigurt në efikasitetin e tyre, tha ekspertja e tregut të farmaceutikës, Erilda Selimaj.
Mjekët pohojnë se tregu po vuan pasojat e medikamenteve jocilësore të nxitura nga politikat e rimbursimit. Për rrjedhojë, qytetarët paguajnë më shumë, pasi duke blerë dy-tre herë ilaçet për një kurë, harxhojnë më shumë se më parë. Mjekët dhe farmacistët pohojnë se në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt.
Farmacistët pohojnë gjithashtu se, numri i personave që po bëhen rezistentë ndaj ilaçeve po rritet. Përdorimi i shpeshtë i ilaçeve rrit rezistencën ndaj tyre, për pasojë ky grup gjithnjë e në rritje merr më shumë medikamente. Edhe ushqimet e pakontrolluara, apo jeta sedentare kanë ndikuar në uljen e reagimit të trupit ndaj virozave. Selimaj thotë se, ka pasur rritje të virozave me rreth 20% në vit.
Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur, nëpërmjet një anketimi, se antibiotikët merren në 24% të rasteve pa recetë mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre. Në Shqipëri është i dukshëm dhe përdorimi i barnave pa recetë, sidomos antibiotikëve.
Tregu, një mal me probleme
Tregu farmaceutik në vendin tonë vuan nga problematika të mëdha që lidhen me rregulloret e mangëta, keqfunksionimin e tregut nga mbingopja me operatorë në linjat e pakicës dhe nga ndryshimi i politikave të rimbursimit. Zonja Toma, nga Urdhri i Farmacistit, tha se ndryshimi i listës pa u konsultuar me farmacistët shpesh krijon humbje të mëdha, të cilat përballohen tërësisht nga bizneset e sektorit. Ajo tha se, ulja e çmimit të medikamenteve me 30% nuk njihet fiskalisht, duke i konsideruar farmacitë evazorë nga Tatimet.
Toma tha se tregu po përballet me një konkurrencë të padrejtë që po krijohet nga kriteret dhe rregulloret që duhet të plotësojnë farmacitë dhe agjencitë farmaceutike për lidhjen e kontratave me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Sipas Urdhrit të Farmacistit, Këshilli Administrativ i Fondit, ka përcaktuar kritere të cilat mund të sjellin “selektivitet” jo të drejtë të subjekteve farmaceutike që do të kontraktojnë Fondin; konkurrencë të padrejtë ndërmjet subjekteve farmaceutike dhe diskriminim të një numri subjektesh farmaceutike, ndonëse ato e zhvillojnë aktivitetin në përputhje me rregullat ligjore në fuqi.
Shtrirja e importuesve të mëdhenj edhe në tregun e pakicës, po krijon monopole vertikale dhe kjo minon konkurrencën e drejtë në treg.
Toma tha se ekzistenca e rrjeteve farmaceutike është problematike. Ky është një ngërç i ligjit që nuk përcakton numrin dhe krijon probleme. Më parë, shtrirjen vertikale e ndalonte ligji, tani jo më. Para pak vitesh, Maqedonia hoqi kriteret e tregut, për shkak të kaosit që krijoi sot janë kthyer sërish te farmacisti dhe te numri i subjekteve. (Monitor) (b.an)