Italia nuk ka ndërmend të largohet nga eurozona dhe do të fokusohet në uljen e nivelit të borxhit, bëri të ditur sot ministri i Ekonomisë, Giovanni Tria, në një deklaratë që u duk më shumë një përpjekje për të qetësuar tregjet financiare.
Në intervistën e tij të parë që prej marrjes së detyrës një javë më parë, Tria i tha gazetës “Corriere della Sera” se koalicioni dëshiron të nxisë rritjen ekonomike përmes investimeve dhe reformave strukturore.“Synimi ynë është rritja ekonomike dhe papunësia. Por ne nuk planifikojmë të ringjallim rritjen me shpenzimet e deficitit”, tha Tria, duke shtuar se ai do t’i bëjë publike planet e reja ekonomike dhe strategjitë e qeverisë në shtator.
Qeveria e përbërë nga Lëvizja 5 Yjet dhe Lega pati emëruar fillimisht në postin e ministrit të Ekonomisë Paolo Savonën, i cili e ka cilësuar prej vitesh “gabim historik” monedhën e përbashkët.Savonës iu dorëzua përfundimisht një portofol më pak i rëndësishëm, pasi kreu i shtetit refuzoi të pranonte emërimin e tij.
Tria, një profesor i njohur dhe economist, i cili nuk është i lidhur me asnjë parti, thotë se koalicioni është i angazhuar të qëndrojë brenda monedhës së përbashkët.
“Qeveria është e vendosur për të parandaluar në çdo mënyrë kushtet e tregut që do të çonin në daljen nga monedha e përbashkët. Nuk është thjesht se nuk duam të dalim, ne duam të parandalojmë krijimin e kushteve që do të çonin në situata ku qëndrimi ynë në euro do të sfidohej”, tha ai. / REUTERS-TemA TV /