Një në pranga dhe një tjetër i shpallur në kërkim është rezultati i një operacioni të policisë në Kurbin, e cila mundi të parandalonte një konflikt që mund të kishte pasur pasoja të rënda. I arrestuarit është Rudolf Lama, 22 vjeç, ndërsa në kërkim u shpall 48-vjeçari S.T.
Ky i fundit, sipas një njoftimi të policisë, mesditën e së shtunës është konfliktuar për motive të dobëta me vëllain e Rudolf Lamës, D.Lama tek Ish – Uzina në Laç dhe e ka goditur me levë hekuri, duke i shkaktuar lëndime trupore. Lama u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në momentin që 22-vjeçari Lama ka marrë vesh për konfliktin, ka marrë një pushkë model 63 me fishekë dhe në gjaknxehtësi ka shkuar tek fabrika e 48-vjeçarit S.T., ku e ka ofenduar dhe kërcënuar, si dhe ka qëlluar disa herë me armën e zjarrit.
“Falë vlerësimit në kohë të situatës dhe njoftimit për konfliktin, nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, është bërë e mundur ndërhyrja në kohë rekord duke arrestuar në flagrancë shtetasin Rudolf Lama dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pushkë me të cilën kishte kërcënuar dhe qëlluar”, thotë policia në një njoftim.
a.ç