Nga Artan Lame
79 vjet më parë, më 7 prill 1939, Italia pushtoi Shqipërinë. Pak ditë më pas më 16 prill, një dërgatë shqiptare mbërriti në Romë për t’i ofruar Mbretit të Italisë edhe Kurorën e Shqipërisë, pasi ja kishte hequr nga koka mbretit Zog. Goxha patriotizmë medemek treguan të njëjtët njerëz që deri atëhere i qenë betuar për besnikëri të përjetshme Mbretit të Shqiptarëve Zogut I.
1. Në foton e parë, që është një pikturë e atyre ditëve, paraqitet pikërisht momenti kur dërgata shqiptare u prit me ceremoni në pallatin mbretëror në Romë, i famshmi pallat Kuirinale që, pasi shërbeu për katër shekuj si seli e papëve dhe për një shekull tjetër si seli e mbretërve Savoia, sot është seli e Presidentit të Republikës Italiane.
Dërgata shqiptare ishte e përbërë nga dy grupe, njëri i veshur me frak e cilinder dhe tjetri me kostume kombëtare të jugut e të veriut. Piktura paraqet Viktor-Emanuelin që qëndron drejt, i mbështetur mbi dorezën e shpatës, ndën baldakinin mbretëror, ndërsa në një jastëk i ofrohet Përkrenarja e Skënderbeut, që lunate rolin e Kurorës Mbretërore Shqiptare.
Në fakt, ceremonia ka qenë më e thjeshtë dhe nuk ka patur kurfarë përkrenareje, e cila ndërkohë flinte e qetë në Vjenë, por pamje të tilla të idealizuara u krijuan për të bërë efekt në Shqipëri. Edhe Viktor-Emanueli nuk kishte asgjë të përbashkët me atë burrin e gjatë e gjoks fryrë që paraqet piktura, duke qenë se për shkak të një difekti të lindur, ishte shumë i shkurtër.
Piktori është kujdesur që të paraqesë vetëm delegateë të veshur me kostume kombëtare, me qëllim që, edhe një shikues analfabet, të kuptonte se ç’po ndodh. Madje, për të qenë “politikisht korrekt”, njërin prej trimave tanë, një krutan, e ka vënë të nderojë me dorën përpjetë, alla-fashiste.
2. Pastaj pak muaj më pas një medalion u prodhua për të fiksuar në përjetësi këtë moment. Medalioni u prodhua me derdhje në bronx, në vetëm pak egzemplarë dhe ka diametër 120 mm. Ai është vepër e skulptorit Giuseppe Romagnoli, medalist kryesor i punishtes mbretërore të monedhave në Romë dhe është i trajtuar sipas kanoneve të medalioneve perandorake të epokës së Romës imperiale.
Paraqet Shqipërinë, në formën e një vajze të veshur me kostum kom bëtar (ngjan tepër oriental) që i ofron Përkrenaren e Skënderbeut Romës, e paraqitur sipas ikonografisë imperiale e ulur dhe me shqytin identifikues të Savojave pranë.
3. Katër vjet e gjysëm pas kësaj oferte, në tetor të vitit 1943, një tjetër Asamble Kushtetuese e mbledhur me të shpejtë në Tiranë pas kapitullimit të Italisë, vendosi të mos njohë më bashkimin me Italinë. Për rrjedhojë, edhe Kurora e Shqipërisë “zbriti” nga koka e Viktor-Emanuelit III për t’u “kthyer” në Shqipëri.
Fotografia e tretë, paraqet një karrikaturë të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe i bën jehonë pikërisht kësaj ngjarjeje. Një djalosh shqiptar, sërisht me veshje kombëtare, i kthen krahët mbretit, duke u larguar me Përkrenaren e Skënderbeut të mbajtur mbi një jastëk ceremonial. Viktor-Emanueli paraqitet i mbledhur kruspull në fronin mbretëror, në shpinën e të cilit është stampuar monogrami mbretëror “VE”.
Mbreti i shkretë duket i nevrikosur, sepse atë nuk e pyetën as kur ja vunë e aq më pak kur ja hoqën nga koka kurorën. Në fakt, më shumë se ai, duhet të ndjehemi të turpëruar ne, që gjatë gjithë historisë jemi mësuar të bëjmë të tilla lojra me simbolet tona.
Pavarësisht nga hipje-zbritjet kokë më kokë, që pësoi Kurora e Shqipërisë në vitet e Luftës, falë Zotit, origjinalja e saj gjendet larg duarve tona, e sigurtë atje në Muzetë e Vjenës. Po të kish qenë këtu mes nesh, kushedi ku do kishte përfunduar, humbur a vjedhur dhe sot do të thonim krenarë: “Përkrenarja vërtet ka humbur, por ajo rron në zemrat tona”.