Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Shqiptare” bën të ditur tri këshillat për procedurat që duhet të ndjekin të gjithë pronarët që kanë apartamente për të legalizuar.
Artan Lame bën të ditur se janë përfunduar procedurat për legalizimin e 102 pallate në Tiranë dhe janë gati lejet për 8200 banorë. Gjithashtu, Lame bën të ditur se pas legalizimit të pallateve të braktisura në Tiranë do të nisë procesi për pallatet e braktisura në Shkodër, Durrës, Vlorë e Elbasan.
Ju sapo keni nisur procesin e legalizimit për pallatet që kanë shkelur lejen e ndërtimit dhe rastet kur pronarët kanë braktisur objektin pa pajisur me dokumente qytetarët?
Procesi i legalizimeve nuk përbën më lajm, unë këtë e konsideroj si gjë pozitive. Për të thënë një shifër mjafton t’i referohemi muajit maj, ku ky proces u mbyll me 3535 legalizime që do të thotë vetëm në 30 ditë mbi 3500 familje shqiptare legalizuan pronën. Kjo për ne është një gjë shumë e mirë. Futja në rutinën normale dhe jo mbajtja në shportë duke e zvarritur me vite. Ky është një nga sukseset më të prekshëm të kësaj qeverisje në aspekt shifrash jo thjesht legalizimi, por formalizimi i kësaj pjese të madhe të ekonomisë shqiptare.
Përtej kësaj dalin xhepa që nuk i kishte prekur askush, ishin të varrosura në harresë dhe në pingpongun e institucioneve, edhe këtyre ne po përpiqemi t’i japim zgjidhje. E kam fjalën këtu për ato që ne i quajmë në të folurën e përditshme pallatet e braktisura nga ndërtuesit, por jo vetëm kjo tipologji edhe ato pallate për të cilët ndërtuesit nuk interesohen, sepse i kanë marrë paratë nga qytetarët, pallatet me shtesa në ndërtim që do të thotë ka marrë leje për 6 kate dhe ka bërë 8 kate, etj., etj. kemi edhe shumë kategori problematikash si këto. Ky është një xhep që ka filluar të krijohet që në vitet ’93-’94 dhe deri më sot, duke u shtuar vit pas viti. Asnjë qeveri nuk ishte marrë me këtë problem, ne i identifikuam dhe qeveria Rama vitin e kaluar, në janar 2017, miratoi një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) për procedurat e legalizimit të këtyre objekteve, sepse me legjislacionin që ekzistonte ato nuk mund të legalizoheshin.
Nisëm kështu menjëherë procedurat dhe mblodhëm informacionin e nevojshëm për këtë kategori. Pallati më i vjetër i futur në proces legalizimi është ndërtuar në vitin 1994, plot një çerek shekulli. Imagjinoni sa e komplikuar është situata për këtë, janë të ngatërruara procedurat, është i ngatërruar historiku i firmave, dhe e them me seriozitet se procesi i legalizimit të pallateve të braktisura është ndoshta procedura më e komplikuar me të cilën haset administrata publike për shkak të historikut, ndryshimeve në legjislacion, transferimeve nga një pronar tek një pronar, për shkak të shumë blerësve të këtyre objekteve apo për shkak se në një pallat nuk ke të bësh me një person, por me 50-60-70 qytetarë që si e ka hallin njëri s’e ka tjetri.
Ne u bëmë thirrje subjekteve, disa reaguan, disa jo dhe mosreagimi na çoi në hapin e radhës, duhet të merrnim një masë ekstreme, që do të thotë një listë me subjekte që nuk reagojnë, për të cilët i kërkojmë Bashkisë së Tiranës të mos i pajisë më me leje ndërtimi. Kjo gjë është edhe në vetë interesin e bashkisë, që të mos japë leje për pronarë që shkelin këtë leje apo braktisin objektin dhe, nga ana tjetër, të mos krijojmë një stok tjetër qytetarësh që do të kenë të njëjtin problem. Lista u publikua dhe pas asaj u ndodhëm përballë një surprize të jashtëzakonshme, nga njëra anë qytetarët që dyndeshin me kontakte duke thënë: shumë mirë, dhe, nga ana tjetër, shumë subjekte që filluan të na kontaktonin dhe thoshin se nuk e kishin marrë seriozisht, po interesoheshin të vepronin tani që u përballën me masat. Kjo na detyroi të bënim një shtyrje të afatit për t’u lënë mundësi subjekteve të vinin për nisje të praktikës së legalizimit dhe arritëm në fund të kësaj jave punë, ku u paraqiten 122 subjekte, të cilat atë që s’e kishin bërë në një vit e gjysmë, e bënë brenda një jave. Këto subjekte u hoqën nga lista paraprake dhe do të vijnë të bëjnë depozitimin e dosjeve dhe të ndjekin gjithë procesin.
Qëllimi ynë nuk është as të bllokojmë kot ndërtues në bashki, as të nxjerrim kot subjekte në lista dhe as të marrim në qafë njeri. Qëllimi ynë është: hajdeni subjekte, përfshihuni në proces se ne do të japim gjithë ndihmën tonë për ta kryer atë. Në fund të gjithë ata që përfitojnë janë vetë subjektet që mbyllin një kalvar të vjetër dhe, nga ana tjetër, qytetarët që kanë vite e vite që presin të marrin në dorë ligjërisht pronën për të cilën kanë paguar.
Gjatë këtij procesi çfarë duhet të bëjnë qytetarët?
Problemi i raportit dhe i punës konkrete me qytetarët është dy llojesh. E para, nëse subjekti na përgjigjet është shumë e lehtë, sepse kur kemi të bëjmë me subjektin ndërtues me firmën e ndërtimit e thërrasim i kërkojmë lejen e ndërtimit, i kërkojmë projektin e pallatit, listat e banorëve që ua ka shitur. Në këtë rast plotësohet me informacion dosja e objektit që është për t’u legalizuar. Plotësimi i dokumentacionit është më i thjeshtë, bëhet legalizimi në emër të subjektit dhe më pas është subjekti që bën kalimin një pas një te qytetarët. Ky është rasti më i mirë dhe më i lirshmi në operim. Edhe ky rast ka problematikat e veta, sepse ndërtuesi mund të jetë në gjyq me pronarët e tokës pasi ata kërkojnë pjesë te shtesat që janë bërë, ndërkohë shtesën e ka marrë dikush tjetër, etj.. Kategoria tjetër kur subjekti nuk ekziston është fshehur dhe rasti më ekstrem kur ndërtuesi ka vdekur, për një histori që shkon 24 vjet vjen radha që edhe njerëzit vdesin, uroj të ketë sa më pak, por ka. Në këto raste ne mundohemi me bashkinë për të marrë projektin, banorëve u kërkojmë nëse kanë ndonjë material që u ka mbetur, sepse është shumë e vështirë, pasi na duhet që gjithë projektin ta bëjmë ne nga fillimi. Imagjinojeni çfarë do të thotë një pallat me 10 kate, me nga 4 familje për kat, pra 40 familje dhe me 10 dyqane poshtë, me 50 parkime, për të cilin duhet të bësh projektin nga e para. Pra, punonjësit tanë duhet të shkojnë shtëpi me shtëpi, t’u hapet dera, të bëjnë matjet dhomë më dhomë dhe njëri e hap derën, dhe njëri thotë s’jam sot, hajde nesër, tjetri thotë e kam me qira, e pafund problematika si këto. Plus vështirësive të tjera që kanë të bëjmë me faktin se ligji me të drejtë kërkon që për çdo pallat që legalizohet edhe një raport për qëndrueshmërinë e objektit, pasi dikush do të mbajë përgjegjësi se ky objekt qëndron. Analiza strukturore e objektit kryhet nga një subjekt i licencuar që duhet paguar, për rastet kur është pronari paguan ai, për rastet kur nuk është paguajnë banorët, të cilët është shumë vështirë t’i bësh në një mendje të paguajnë pjesën që u takon. Shuma nuk është e madhe, por njëri thotë ia kam dhënë pronarit, tjetri thotë hajdeni në fund të procesit dhe kjo e bën më të vështirë. Kur u thua qytetarëve bëhuni bashkë dhe hajdeni ndiqeni, është shumë e vështirë, sepse thonë unë s’flas me vëllain, jo më me fqinjin. Por ka vetëm një zgjidhje, në rast se duam ta bëjmë këtë gjë mund ta bëjmë të gjithë bashkë, ne nga zyra se bëjmë dot legalizimin dhe as banorët nga shtëpia nuk e bëjnë dot, pra duhet të bashkëpunojmë shumë me njëri-tjetrin.
Tri këshillat që keni ju për këtë proces?
E para, subjekteve, ejani se do të keni gjithë mbështetjen tonë për ta përmbyllur këtë proces. E dyta, banorëve, bëhuni bashkë, aty ku nuk keni mundësi me subjektet, zgjidhni një administrator, zgjidhni një jurist që banon në pallat ose arkitekt dhe ngarkojeni të vijë të ndjekë procedurat me ne. E treta, kur është subjekti, por nuk vjen, ju detyrojeni të gjithë së bashku të përmbyllë procesin
Sa pallate kanë përfunduar procesin deri tani?
Duket shumë e vështirë, por mund të them se vjet në janar kur doli vendimi deri tani në fund të majit janë legalizuar 102 objekte të tilla vetëm në Tiranë, pra pallate nga 5-6 kate deri 10-12 kate, dhe ne quajmë pallat një objekt mbi 5 kate, kanë përfituar rreth 8200 apartamente, shtëpi, banimi, garazhe, pra është bërë një punë kolosale dhe mjafton kjo për të thënë që nuk është ëndërr, por një hap që funksionon dhe bashkërisht mund ta bëjmë që të funksionojë, siç duhet. Afërsisht mund të them sipas analizës së ALUIZNI-t, se rreth 1/3 e lejeve të ndërtimit për pallate ka probleme legalizimi, në të gjithë vendin. Ky është një eksperiment që po e bëjmë dhe po e kolaudojmë me Tiranën dhe për të vijuar më pas edhe në qytete të tjera të mëdha, si Shkodra, Durrësi, Fieri Elbasani dhe Vlora, të cilat kanë problematikë me pallatet, por thjesht i quaj të braktisura. Nuk kanë këtë peshë si Tirana, por kanë problematika. Një tjetër xhep që ne keni nisur të zgjidhim janë ndërtimet pa leje të institucioneve shtetërore. Janë me qindra institucione që kanë bërë ndërtime dhe prokurime pa leje, shtesa kati, shtesa anësore, gjithë godinën pa leje, të gjitha kanë problemin e legalizimit. Kur i kanë bërë s’kanë pyetur shumë, megjithëse ligji i urbanistikës ua ndalon. Kur dikush bën një ndërtim, duhet t’i shkojë policia ndërtimore t’i thotë ç’po ndërton ku e ke lejen, po thotë jam shtet dhe lëre të vazhdojë, është shkelje ligji. Ligji kërkon që prokurimet shtetërore që bëhen për ndërtime të jenë të shoqëruara me leje ndërtimi. Në momentin që fillon ndërtimin e një njësie, duhet patjetër leja. Tani kanë ngecur në procesin e legalizimit, ka institucione që kanë nisur dhe kanë bërë një punë, ka të tjera institucione që s’e kanë vënë ujin në zjarr. Mjafton të them këtë që QSUT-ja ka një mori ndërtime godinash të brendshme pa leje për të cilat është në proces me neve për t’i legalizuar. Drejtoria e Doganave që ishte gabimisht te lista e parë po bën procedurat për një shtesë që ka. Ndërkohë është një listë e pafund institucionesh që janë tërësisht në ajër dhe në një moment të dytë do t’i publikojmë.
Ç’po ndodh në hipotekat z. Lame?
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, unë do të preferoja termin Kadastra, dhe i gjithë sistemi është në një gjendje pranë katastrofës. Unë e kam thënë sa herë kam mundur këtë gjë dhe duhet të bëhemi të gjithë të ndërgjegjshëm, qeverisja është përderisa e thotë, por duhet të bëhet edhe publiku për të kuptuar që i gjithë sistemi i pasurive të paluajtshme dhe sistemi hartografik i Republikës së Shqipërisë është në pragun e katastrofës për shkak të mbartjes së gabimeve dhe të keqmenaxhimit çerek shekullor. Mjafton të përmend këtu që sipas analizave tona dhe të Bankës Botërore rreth 80 % e pasurive të regjistruara janë me gabime.
Çdo të thotë me gabime?
Do të thotë që ka keq kufijtë, që pasuria është këtu e çojnë në një vend tjetër, që ka mbivendosje me një tjetër pasuri, që ka 7 gjyqe të pambyllura apo ka 4 vendimmarrje për një pronë të vetme. Për një pasuri të vetme është bërë edhe kthim prone, dhe ATMP, dhe legalizim, dhe privatizim dhe ajo rezulton një pasuri. Kanë vepruar kështu që të vjedhin të gjithë, të abuzojnë të gjithë, me vetëdije të mos harmonizohen gjërat dhe të bëjnë gjithë atë që duan. Dhe kjo bën më pas që të përplasen të gjithë më njëri-tjetrin dhe të shkojnë në gjykata, e cila thotë hajde këtu të të mat unë kokën për të peshuar se cili nga ju të katër do të marrë, e merr njëri dhe tre të tjerë hapin tri gjyqe prapa. Gjithë ky sistem i pasigurt, pra 80 % e regjistrimit është problematik, do të thotë që sistemi i kadastrës nuk rregullohet thjeshtë duke rregulluar fasadën e shërbimit. Unë e them me përgjegjshmëri që në 6 muajt e fundit kanë një përmirësim jashtë çdo imagjinate të nivelit të shërbimit, të respektimit të afateve për sa është e mundur, por problemi që ato ofrojnë është i gabuar. Pra, nuk zgjidhet kjo çështje thjesht duke rregulluar fasadën pa rregulluar të gjithë prapavijën. Hipoteka e sotme është një mulli i prishur që bluan grurë të mykur dhe prodhon miell të bluar keq dhe të mykur. Shite si të duash këtë produkt, por po shet një produkt që do të të sëmurë.
Cila mund të jetë zgjidhja?
Duhet të rregullojmë jo vetëm banakun, duhet të rregullojmë mullirin dhe arën prapa. Duhet rregulluar gjithë hartografika nga fillimi dhe gjithë sistemi i operimit të Kadastrës. Kjo është një reformë kolosale, e cila është duke avancuar edhe nga pikëpamja formale ligjore, pra duke bërë gati legjislacionin, por edhe harmonizimi i të gjithë këtyre institucioneve për rakordimin me njëri-tjetrin. Thelbi i kësaj reforme është unifikimi dhe bashkimi i gjithë institucioneve që kanë të bëjnë më pronën në vend dhe mbyllja e proceseve legjendare të pronësimit në Shqipëri. Ka 20 e ca vjet që kthejmë prona dhe janë të gjithë të pakënaqur, ka 20 e ca vjet që ndajmë tokën dhe 12 vjet që legalizojmë, ka 20 e ca vjet që privatizojmë dhe ende nuk është mbyllur. Të gjitha këto procese duhet të ishin mbyllur për 3-4 vjet. /b.d