Filloi sot shkolla e drejtorëve, një kurs intensiv menaxhimi spitalor për drejtuesit e spitaleve publike në vend, e cila hapet për herë të parë.
Duke theksuar investimet e rëndësishme që po kryhen këtë vit në sektorin e shëndetësisë, Ministrja Manastirliu vlerësoi rëndësinë e menaxhimit të spitaleve si element kyç për shërbime cilësore për qytetarët.
“14 milion euro janë investimet që po realizohen këtë vit në sektorin e shëndetësisë, duke filluar nga investimet në 11 spitalet rajonale me instalimin e 5 mamografëve të rinj, rezonancës magnetike për herë të parë në Elbasan, Angiografit për herë të parë në Fier për zgjidhjen e urgjencave kardiake e një seri investimesh në spitalet e Tiranës, duke filluar me repartet e reja të kirurgjisë dhe spitali i ri i sëmundjeve të brendshme në QSUT, etj. Por menaxhimi padyshim është I rëndësishëm për të patur shërbime sa më cilësore për qytetarët, ndaj vendosëm të hapim për herë të parë shkollën e drejtorëve të spitaleve”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale theksoi se procesi I decentralizimit të spitaleve do të shoqërohet me llogaridhënie dhe transparencë.
“Cikli i parë i menaxhimit spitalor do të hedhë bazat për menaxhimin e mirë të burimeve financiare. Përpara se të kërkohet rritje fondesh, duhet mirëadministruar fondi që spitalet kanë në dispozicion. Ndaj shkolla që po hapim sot do vijojë me cikle të tjera – derisa çdo qindarke e parave publike të shkojë te pacienti, në funksion të përmirësimit të shërbimit për qytetarët”, tha Manastirliu.
Në fjalën e hapjes së shkollës së drejtuesve të spitaleve, Ministrja theksoi se këtë vit do të garantohen barnat bazë në çdo spital, nuk do të ketë stoqe të barnave dhe skadenca të tyre, me lidhjen e marrëveshjes kuadër që lejon administrimin më të mirë të barnave në spitale përgjatë gjithë vitit.
Sipas Manastirliut – shumë shpejt do të kryhet rankimi (vlerësimi) I spitaleve sipas performancës për të vijuar me procesin e akreditimit të tyre, ku padyshim thellimi I dijeve menaxheriale për drejtuesit do të ndihmojnë në performancën më të mirë të spitaleve dhe akreditimin më të shpejtë të tyre.
Shkolla e drejtorëve nis sot dhe do të vijojë për 5 javë me radhë gjatë fundjavave, ku drejtuesit e spitaleve do të trajnohen për t’u bërë menaxherë më të aftë për mirëadministrimin e burimeve financiare dhe njerëzore, që në thelb kulmojnë te një shërbim më cilësor për qytetarët.
Lektorë të njohur dhe profesionistë të fushës vendas dhe të huaj do të drejtojnë këto kurse intensive. Nis që nga konceptet bazë të menaxhimit “shkolla e drejtorëve”, për të vijuar me menaxhimin e burimeve njerëzore, që nga punësimi por edhe motivimi I duhur I stafit. Një component I rëndësishëm do të jetë edhe ai I komunikimit publik dhe menaxhimi I krizave.
Shkolla e drejtorëve u realizua me iniciativën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjet e projektit “Shëndet për të Gjithë”./a.m.