Gjykata e Lartë ka reaguar pas publikimit të letrës së babait të gjyqtares së ndjerë Fildes Hafizi, të cilën e shkroi dy ditë para se ai të ndërronte jetë dhe përmes së cilës kërkonte drejtësi për vrasjen e vajzës.
Përmes zëdhënëses Ida Vodica Gjykata e Lartë deklaron se ka marrë të gjitha masat dhe brenda javës së ardhshme do të dalë në vendim për çështjen e Fildes Hafizit shkruan Balkanweb.
Babai i gjyqtares Hafizi, shprehte shqetësim në një letër të shkruar dy ditë para se të vdiste se Fadil Kasëmi, vrasësi i saj do të lirohej për shkak të ping-pongut mes instituconeve të drejtësisë.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Zaganjori konfirmon se pas letrës publike do mbledhë me urgjencë kolegjin penal në fillim të javës tjetër për t’i dhënë përgjigje kërkesës së gjykatës së faktit për kompetencën në lidhje me gjykimin e çështjes se vrasjes së ish-gjyqtares Fildes Hafizi.
Rreth 1 vit pas vrasjes së saj, ish-bashkëshorti Fadil Kasemi, i cili ka deklaruar se vrasjen e ka kryer me koshiencë të plotë, mund të dalë nga burgu për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.
Të ndodhur përballë këtij fakti dhe ngërçit të sistemit gjyqësor, familjarët e gjyqtares së ndjerë kanë vendosur t’i drejtohen me një letër autoriteteve kryesore të vendit, duke vënë në dijeni edhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendin tonë./a.m.