Presidenti rus Vladimir Putin tha se kishte paralajmëruar vendet evropiane për rrezikun e imponimit të rregullave nga SHBA dhe tani ata po paguanin çmimin e injorimit të tij. Gjatë shfaqjes së përvitshme televizive ku Putin flet drejtpërdrejt me rusët, lideri i Kremlinit i krahasoi tarifat amerikane mbi importet e aluminit dhe çelikut me sanksione ekonomike.
“Duket se partnerët tanë mendonin se nuk do të prekeshin nga kjo politikë kundërproduktive kufizimesh dhe sanksionesh. Por është pikërisht kjo që po ndodh tani. Askush nuk pati dëshirë të dëgjonte dhe askush nuk bëri asgjë për ta ndaluar. E po, tani e pësuat. Darka është gati, uluni dhe hani”, tha Putin.
Presidenti rus tha se i paralajmëroi evropianët që në vitin 2007 gjatë një fjalimi në Mynih për faktin se SHBA po ndihej gjithnjë e më e jashtëzakonshme dhe rrezikonte që të impononte rregullat e saj mbi të tjerët.
Putin gjithashtu akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë shqetësuar ekuilibrin strategjik bërthamor, ndërsa shtoi se askush nuk duhet të ndërmarrë hapa të nxituar. Sipas presidentit rus, fakti që një luftë e tretë botërore do të ishte fundi i qytetërimit, duhet t’i frenojë që të gjithë./a.m.