Nga Flogert Muça/
Opozita në Tiranë edhe sot ka vazhduar avazin e bllokimit të foltores së Kuvendit duke mos lejuar zhvillimin normal të seancës plenare. Është e sigurtë që këtë sesion PD dhe LSI do e mbyllin me bllokim, pasi kjo përkon me periudhën e vendimit për negociatat. Bllokimi në Kuvend është një ndër hallkat e strategjisë së opozitës për t’I thënë vendeve të BE-së se Shqipëria nuk duhet të lejohet të vazhdojë rrugën e saj europiane.
Është e qartë për këdo që PD dhe LSI nuk e duan çeljen e negociatave. E kjo nuk është kështu se e thotë mazhoranca, por sepse ka arsye të mjaftueshme për të qënë e tillë. Njëra arsye është politike ndërsa tjetra është frika nga ajo që kanë bërë kur kanë qenë në pushtet.
Sa i përket aspektit politik, çelja e negociatave do të ishin një bonus për Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Reforma në drejtësi është shtylla mbi të cilën u dha edhe rekomandimi pozitiv e në këtë reformë, Edi Rama ka qenë në krahun e SHBA-BE-së, ndërsa opozita kundër tyre. Pikërisht për këtë arsye PD dhe LSI e dinë mirë se kuotat e tyre do zbresin edhe më poshtë nga ç’janë në rast të një vendimi pozitiv. A nuk është kjo një arsye e madhe politike për të luftuar kundër çeljes së negociatave? Unë mendoj se po. Sepse kjo klasë politike që e kundërshton BE-në sot nuk e ka patur kurrë problem të punojë kundër shqiptarëve. Madje edhe i ka vrarë, pasi grabitjen e kishin kthyer në normë.
Ndërsa në aspektin e frikës ndaj drejtësisë që bën drejtësi mbetet pak për tu thënë. Secili prej nesh i di bëmat të cilat nuk janë hetuar e gjykuar. Të gjithë e dimë se vendet që kanë aderuar në BE më parë kanë prerë koka të mëdha që i kishin marrë shpirtin popullit. E për këtë në fakt nuk ju vihet faj. Ndoshta secili prej nesh që të ishte në vendin e tyre do bënte të njëjtën gjë, pasi liria është e shenjtë.
Por, si po operon opozita për të bindur vendet e BE-së që Shqipëria nuk meriton çelje negociatash?
Strategjia e saj është përqëndruar në tre shtylla kryesore ku veprohet paralelisht dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Së pari, opozita ka karikuar negativisht të gjithë miqtë e saj, që nga parlamenti gjerman e kudo tjetër. Çdo deputet i parlamenteve të shteteve të BE-së që është kundër zgjerimit të saj, është praktikisht mik i opozitës shqiptare. Në takimet e tij jashtë vendit Basha vazhdon nxin Shqipërinë, pavarsisht raportit të KE që rekomandonte çelje negociatash pa kushte. Pra, lobimi fizik është i pari që opozita po përdor për të prishur punë.
Shtylla e dytë është krijimi i pseudongjarjeve si rasti i Babales për të patur arsye për të protestuar e përfunduar lajm ne mediat e huaja (kryesisht ruse) që Shqipërisë t’i vendoset damka e një vendi të pasigurtë e të kriminalizuar.
E treta dhe e zakonshmja është përdorimi i mediave të huaja për të nxjerrë artikuj kundër Shqipërisë. Në rrethet mediatike thuhet se paguhen shifra të majme për të nxjerrë artikuj kundër vendit. Dhe, logjika të thotë se edhe mund të ndodhë, për sa kohë harxhohen kaq shumë energji në aspektet e tjera.
Ndaj, mos u mërzisni deri në fund të qershorit, opozita do vazhdojë të nxijë, sepse hallet e saj janë më të mëdha se hallet e të gjithëve ne bashkë!