Telekom Albania u bë pjesë e konferencës së parë që u zhvillua në Tiranë mbi Qytetet Inteligjente dhe Industritë me përdorim Efiçent të Energjisë. Për herë të parë në vendin tonë u diskutuan projektet më të avancuara inteligjente në një aktivitet të organizuara nga Ambasada Daneze me mbështetjen e Telekom Albania.
Qytetet Inteligjente janë një manifestim i Ndërthurjes ose Bashkëveprimit të Objekteve (Internet of Things), të cilat me anë të funksionit teknologjik arrijnë të bashkërendojnë organizimin e një strukture. E gjithë kjo ndodh për të lehtësuar jetën e përditshme të kujtdo që i vë në funksion personal ose për të rritur efiçencën e aktiviteteve. Ky koncept është prezantuar prej vitesh në qytete të ndryshme europiane përmes projekteve që kanë ndryshuar mënyrën sesi ndërveprohet me qytetin.
Ekskluzivisht për këtë konferencë, përfaqësuesi i Deutsche Telekom, Daniel Michel, Zv/President për Qytetet Inteligjente u shpreh se: “Deutsche Telekom ofron zgjidhje inteligjente sipas nevojave të çdo qyteti si në Gjermani, Shqipëri, Kroaci, e të tjera. Rreth 17 qytete europiane ofrojnë shembuj shumë të mirë projektesh inteligjente të zbatuara vitet e fundit. “Ne jemi fleksibël dhe kemi zbatuar me sukses projekte edhe në Shqipëri. Ajo që bëjmë ne si kompani është që mbledhim të dhëna për të kuptuar nevojat e çdo zone dhe për të ofruar zgjidhje përherë e më inteligjente, në përputhje me nevojat e qytetit ” – u shpreh ai.
Termi i qyteteve inteligjente është konkretizuar me sukses edhe në Shqipëri me projekte të tilla si: SMS Parking, Karikuesit Elektrik, e të tjera. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj përmendi projektin e SMS parking, i cili ka nisur zbatimin prej një viti tashmë. Ai u shpreh se: “Mbi 50% e qytetarëve e paguajnë parkimin me mesazh. Ky është një shembull konkret që tregon se edhe në Shqipëri funksionojnë zgjidhjet moderne.”
Mbështetur nga Telekom Albania, konferenca mblodhi bashkë profesionistë dhe zyrtarë të lartë për të diskutuar drejtimet që po marrin qytetet drejt zgjidhje inteligjente. Telekom Albania, si pjesë e gjigantit ndërkombëtar Deutsche Telekom, prej vitesh po investon në projekte të zgjidhjeve inteligjente.