Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ishin parashikuar miratimi i një sërë vendimesh të rëndësishme dhe që kanë një efekt të drejtpërdrejtë për kategori të caktuara qytetarësh, përfshi edhe ata në nevojë. Një prej tyre ishte edhe vendimi “ Për dhënien e ndihmës financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi të ndryshme, për disa fëmijë që banojnë në territorin administrativ të Bashkisë së Tiranës dhe nëpërmjet të cilit përfitojnë më shumë se 30 familje.
Por ndonëse bëhet fjalë për një ndihmë jetike për këto familje, këshilltarët e djathtë edhe kësaj here kanë preferuar të shikojnë interesin e tyre politik. Ata kanë refuzuar të votojnë për këtë vendim, ndërsa janë larguar nga salla me urdhër politikë. Sipas këtij vendimi të propozuar nga Bashkia Tiranë në të gjitha rastet banesat e këtyre familjeve kanë pësuar dëme të mëdha, qoftë ndërtimore, qoftë në pajisje, kryesisht nga zjarri, por edhe për shkak të shirave të rrëmbyer që ka përjetuar Tirana gjatë këtij viti. Në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për familje të cilat nuk i kanë mundësitë ekonomike e financiare për ta përballuar të vetme fatkeqësinë që i ka goditur. Çka do të thotë që përveç detyrimit ligjor për t’i ndihmuar ky vendim ka edhe një dimension të fortë social.
Por pavarësisht këtij detyrimi sa ligjor aq edhe moral ndaj këtyre familjeve, këshilltarët e PD dhe LSI nuk kanë pranuar të votojnë dhe janë larguar nga salla. Kjo është e disata herë që përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Bashkiak refuzojnë të votojnë edhe për vendime që kanë karakter teknik, siç është edhe miratimi i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.
a.ç