Portreti i Mary Hutchinson, realizuar me qymyr nga Henri Matisse – që e pasqyron atë veshur me një bluzë elegante dhe hijerëndë mbështetur në njërin bërryl – pritet të shitet për 3 milionë funte në ankandin që do të mbahet së shpejti, shkruan “Koha Ditore”, e cila citon raportimin e The Guardian. Vizatimi i vitit 1936 është pak më ndryshe sesa portreti i njohur i së njëjtës grua, të realizuar nga gruaja e të dashurit të saj, Vanessa Bell, tani pjesë e koleksionit në muzeun e artit bashkëkohor “Tate”.
Matisse kishte shkruar se ka qenë i kënaqur me suksesin e kapjes së “hollësive të shprehjes së modeles” dhe se me vete do të mbante kujtime të lumtura të atij momenti.
Thomas Boyd-Boëman, specialist në “Sotheby”, ku vizatimi do të dalë në ankand me datën 19 të muajit qershor, e ka vlerësuar lart këtë punim.
“Është një prej vizatimeve më të mira që kemi parë në vitet e fundit të Matisse. Ai e ka kapur esencën e saj në vetëm disa linja”, ka thënë Boyd- Boëman.
Burri i Hutchinson e pagoi Matissen atëkohë 8 mijë franga për vizatim dhe e mbajti atë gjatë tërë jetës së tij. Në ankand do të dalë nga fondacioni i djalit të tyre, Jeremy Hutchinson QC, i cili ka qenë mbrojtës i disa prej gjykimeve më të famshme të shekullit XX, përfshirë ato të Christine Keeler, Hoëard Marks dhe publikimin e romanit “Lady Chatterley’s Lover”.
Hutchinson ishte prezantuar para “Bloomsbury Group” në vitin 1910 nga kushëriri i saj, shkrimtari dhe kritiku Lytton Strachey, dhe u ngatërrua në rrjetin e tyre të komplikuar të aferave. Në mesin e shumë marrëdhënieve, Hutchinson flirtoi me Vita Sackville-West dhe pati një aferë të gjatë me Clive Bell.
Gruaja e tij, Vanessa Bell, pikturoi një portret të ashpër të saj, ku Hutchinson hedh një shikim të zymtë. “Është shumë e shëmtuar…dhe në të njëjtën kohë shumë e njohur”, kishte thënë Bella për veprën e saj.
Hutchinson po ashtu ka pasur një aferë me Aldous Huxley, gruan e tij Marian, dhe pati një marrëdhënie të komplikuar me motrën e Vanessa Bell, derisa Virginia Woolf, e cila adhuronte shijen e saj për veshje dhe aftësitë si zonjë dhe thuhet se e ka përdorur atë si inspirim për personazhin Jinny në “The Waves”. Në një letër, Woolf e përshkroi Hutchinson të veshur me “me pantallona ngjyrë limoni dhe me fjongo të gjelbër” dhe në një tjetër ajo kishte shkruar se për të Mary është një grua e mrekullueshme. Eleganca e Hutchinson dhe gardëroba e mrekullueshme e saj janë evidente tek imazhet që ka bërë disenjatori dhe fotografi Cecil Beaton.
Matisse, i lindur në një familje që merreshin me tekstil, ka qenë shumë i interesuar në kostume dhe tekstile, të cilat edhe i koleksionoi. Bluza e thjeshtë e Hutchinson, e cila shihet në portret është kreacion nga disenjatori i njohur britanik Charles James, i cili nga Christian Dior është përshkruar si “talentet më të mëdha të gjeneratës”.
Hutchinson ishte takuar me Matisse në Paris nga një mik i përbashkët, ku artisti më pas bëri dy vizatime, versionin e thjeshtë të tyre e mbajti në studion e tij, përgatiti Koha. (b.an)