Nga Bedri Islami/
Ambasadori aktual i SHBA në Tiranë, zoti Donald Lu, më shumë nga pararendësit e tij në këtë post, të zakonshëm për Amerikën dhe vendimmarrës për shqiptarët, do të mbahet mend gjatë për disa veçori, të cilat, mund të jenë shfaqur veç e veç tek të tjerët, por kurrë në një diplomat të lartë.
Ai është ambasadori që, duke shfrytëzuar kohën për fillimin e detyrës, mësoi gjuhën shqipe, si shenjë respekti ndaj vendit ku ishte emëruar, por edhe si një ndërnyje e duhur mes tij dhe njerëzve të tjerë,
Ai është diplomati i lartë që me politikën shqiptare foli drejtpërsëdrejti, krejt hapur, me një gjuhë që disa herë nuk i ngjante asaj diplomatike, por që ishte domosdoshmërisht historike. E folura e tij e drejtpërdrejtë, haptas dhe herë- herë e ashpër, ishte e njëjtë me kabllogramet që dërgonin drejt Departamentit të Shtetit diplomatët e tjerë amerikanë, por me ndryshimin se zoti Lu i thoshte dhe vazhdon t’i thotë këto haptas, nganjëherë duke kaluar atë cakun e zakonshëm, por që ndryshe nuk mund të kuptohen nga njerëzit e politikës në Shqipëri, ku secili e sheh vetëm më të mençurin e më të diturin, pavarësisht se gjysma e tyre nuk duhej as të kalonin para asaj godine.
Ai është i dërguari i ligjbërësve amerikanë për të ligjëruar reformën më të domosdoshme në Shqipëri, reformën në Drejtësi, sa që, fare mirë ajo mund të quhet, qoftë edhe nën zë, reforma Lu. I angazhuar maksimalisht për domosdonë e kësaj reforme, duke e pasur të qartë se pa këtë reformë vendi do të mbetej gjithnjë gjysmak dhe nën mëshirën e një korrupsioni galopant, ai bëri gjithçka mundi për ta bërë këtë reformë të pranishme, të ligjëruar dhe të filluar. Ajo ka nisur tashmë dhe rrethimi që kërkohet t’i bëhet edhe sot e kësaj dite, tregon se sa e domosdoshme paska qenë ajo.
Zoti Lu do të largohet, pas një muaji a pas një viti, kjo nuk është e rëndësishme. Ai e bëri misionin e tij, foli si askush tjetër, ndërhyri si pak kush, nuk bëri lëshime me atë që ishte më thelbësore, pikëtakimin e ligjit me njeriun përmes reformës dhe se, nga që u tregua ndonjëherë tej asaj që politika jonë e quan “limit”, ai i theu limitet, edhe pse u duk se këtë e bëri brutalisht.
Ditët e fundit, zërat e opozitës, edhe të gëzuar për largimin e tij – në fakt ata janë gëzuar për largimin e çdo diplomati të lartë amerikan, por këtë veçanërisht fortë – po bën diversionin e radhës, sipas të cilit, misioni i Donald Lu në Shqipëri ka dështuar dhe se ai, me gjithë zhurmën e bërë dhe forcën e treguar, nuk bëri asgjë; shumë gjëra u lanë në gjysmë, reforma e nisur nuk dihet se si do të vazhdojë, “peshqit e mëdhenj” – një dashuri e zotit Lu për largimin e tyre- vazhdojnë “të notojnë” në pellgun e politikës shqiptare etj.
Sipas këtyre zërave, edhe premtimi i zotit Lu që, brenda muajit janar, do të bien në rrjetë peshqit e mëdhenj, nuk u realizua, dështoi, nuk e bë asgjë konkrete dhe se, sipas tyre, edhe largimi i Adriatik Llallës nga posti i kryeprokurorit rezultoi i panevojshëm.
Të frikësuar se shkallët e Vetingut mund të ngjiten gjithnjë e më lart – një deputete lësëiste deklaroi se do të ishte mirë që vettingu për politikën të niste nga viti Zero – ata përpiqen që duke ndjellë dështimin e politikës përfaqësuese amerikane në Shqipëri, përmes zotit Lu, të trembin me vazhdimin e saj, pra që klasa politike të heshtë dhe të mos vazhdojë më tej reforma, sipas tyre, e panevojshme, e drejtësisë.
A ka dështuar Donald Lu në Shqipëri?
A ka qenë e dështuar që nga fillimi politika e një diplomati të lartë për të sjellë në këtë vend mendimin politik dhe juridik të shtetit të tij?
A ka pasur zoti Lu gjithë tagrin amerikan për të vepruar apo gjithçka ishte në kokën e tij dhe, duke qenë kështu, me largimin politik të kësaj koke do të bien edhe lakrat që u mbollën?
Së pari: Reforma ka nisur. Ajo ka qenë përcaktuese dhe do të vazhdojë, pasi largimi i zotit Lu nuk do të thotë se, bashkë me të, do të largohet edhe ambasada amerikane. Që kjo reformë ka qenë e domosdoshme tregojnë edhe të dhënat e deritashme. Me gishtat e dy duarve numërohen të larguarit për shkak të Vettingut, me gishtat e njërës ata që e përballuan. Dhe kjo vetëm për pasurinë e tyre. Duke nisur nga Gjykata Kushtetuese, gardiane e Kushtetutës. Tani do të zbritet më poshtë. Tërmeti i drejtësisë sapo ka nisur. Është në tre ballët e para. Do të shkojë deri në nëntë ballë. Një lukuni banorësh të pallateve të drejtësisë kanë pallatet e tyre personale shumë më të larta se ato të shtetit. “Dhuratat” qindra mijëra dollarësh nga motrat varfërore dolën në dritë. Pra, ka nisur dhe nuk do të mund të ndalet.
Së dyti: Përmes reformës në drejtësi po shkunden edhe degët e tjera të jetës politike në Shqipëri. U fillua me Policinë e Shtetit. Do të shkojë me tej, me politikanët. Kjo e fundit është e domosdoshme, jetike. Thelbësore. Njerëz që në fillim të mandatit të parë nuk kishin asgjë dhe në mbarim të tij dhe fillimin e mandatit tjetër janë milionerë. Milionerë që bëhen deputetë. Mumie që heshtin. Shteti nuk mund të dekriminalizohet, nëse nuk dekriminalizohet politika. Nëse politika mbetet “babale” dhe “lulashe”, kjo do të thotë që kurrë nuk do të gjejmë gjuhën e përbashkët me aspiratën euro-atlantike.
Së treti: në fare pak kohë janë goditur grupe kriminale, disa të njohura, por që ishin “lule mos prek” dhe disa të tjera të panjohura si duhet. Shteti filloi të veprojë, ndoshta edhe nga që politika goditëse “Lu” ishte pas tyre. Të mësuar me nënkuptime, politika u gjet para gjuhës së drejtpërdrejtë. Njeriu i parë që hodhi të saktën se në Shqipëri veprojnë grupe kriminale ishte pikërisht Donald Lu. Goditja e tyre, e cila po bëhet hap pas hapi, duke grumbulluar prova dhe duke pastruar sistemin e drejtësisë, është gjithnjë e pranishme. Nëse më parë në një kontenier do të gjendej kokainë, siç ka ndodhur dhe prokurori Hajdarmataj, do e mbyllte çështjen, jo se porositësi ishte tropojan, nga vinte edhe vetë kryeprokurori, por nga lidhjet e tjera, tani kjo nuk mund të ndodhë më. Një njeri i drejtësisë që përpiqet të fshehë një krim, duhet të mendohet mirë. Pas tij është një sistem.
Së katërti: qëndrimi i zotit Lu ndaj politikës dhe drejtësisë mbetet i pashembullt. Ai dëshmoi se njerëzit e politikës që vrasin e presin me të madhe, që janë më trima se ato të Jutbinës dhe secili prej tyre e paraqet veten si një Gjeto Bashë Muji, mjafton një bilbil amerikan dhe vihen në radhë, si ndodhi në natën e famshme, kur të gjithë ngritën duart për të miratuar Reformën në Drejtësi. Atëherë pata shkuar se, më mirë e kishin të ngrinin një dorë sot se sa dy duar nesër, por kjo puna e dy duarve, si duket, do të vazhdojë.
Së pesti: Prania amerikane u ndje më fuqishëm se kurrë. Për shumë ngjarje, raste e saktësime, publiku ishte më i prirë dhe është më i prirë të besojë qëndrimin e zotit Lu, se sa atë opozitës dhe të shumicës qeveritare. Nëse, në disa raste, mund të jetë dukur se Donald Lu është më pranë shumicës qeveritare, kjo është e përfshirë në rregullin numër “Një” të diplomacisë, por pas saj është shfaqur dukshëm qëndrimi amerikan edhe ndaj qeverisë. Largimi i zotit Tahiri dhe zotit Llalla dhe vendosja në postet e tyre të zotit Xhafa dhe zonjës Marku, më shumë se sa qëndrime vendase , kishin ardhur nga rruga e Elbasanit. Zoti Lu i kishte përcjellë si duhet.
Së gjashti: Një diplomat amerikan nuk pëson asnjëherë disfatë , sidomos në një vend ku gjërat kanë shkuar në 28 vite gjithnjë e më rrokupojë. Zoti Lu e ndali këtë rënie drejt asgjësë. Besimi që kishte nisur të thyhej nga disa qëndrime të zotit Arvizu u ngjit shumë shpejt dhe tani, duam apo nuk duam, diplomacia amerikane,përmes zotit Lu, ka rishtas primarin e asaj që duan shqiptarët.
Së fundi: Zoti Lu ka mbështetur Shqipërinë në të gjitha zhvillimet drejt mbarësisë së saj. Edhe kur nuk e kanë kuptuar. Ai e bëri të padiskutueshëm rolin e tij si përfaqësues fuqiplotë i një vend, po ashtu, fuqiplotë.
Duke mos qenë pjesë e politikës ndarëse, fryma e sjellë në këto vite, nganjëherë në dukje e ashpër, i ka bërë mirë politikës, njerëzve dhe sidomos vazhdimit të së mbarës.
Një njeri, qoftë edhe buldozer politik, nuk mund të marrë përpara gjithë mbetjet e kaq shumë viteve. Por e ka filluar.
Dhe, duan apo nuk duan, emri i tij do të mbetet për shumë kohë në politikën shqiptare.(DITA)