Bekim Kuli përfundoi në pranga ne 12 dhjetor 2017 dhe aktualisht është i burgosur në Gjermani.
Kavajasin në Shqipëri e njohin të gjithë si futbollist.
Cilësitë e tij kanë qenë të padiskutueshme.
Por askush nuk e kishte menduar se do të vinte kjo ditë dhe Kuli të akuzohej për përfshirje në trafik lëndësh narkotike, apo edhe për dijeni të një aktiviteti të tillë, akuzë që bie mbi ish-mesfushorin, sipas Herit, vëllait të Bekimit.
Ai ka dhënë një intervistë në “Panorama Sport” dhe tregon se si kanë rrjedhur ngjarjet.
Heri thekson në rrëfimin e tij se Bekimi kishte shkuar në Gjermani për të marrë letrat dhe për këtë do të merrej me trajnim.
Lidhja me personat ku shkoi ishte e hershme, pasi u sugjeronte lojtar shqiptar.
Heri tregon – versionin e tij – se si i vëllai e pësoi dhe sot është në burg.
“Dy policë, në fakt, kishin qenë të infiltruar dhe ishin sjellë si trafikantë. Ata kishin kërkuar të blinin mall te njeriu i cili e kishte pritur Bekimin në Gjermani”, thotë mes të tjerash vëllai i futbollistit, ndërkohë që tregon më tej se kishte pasur një bisedë në tavolinë, por pa praninë e Bekimit.
Më pas, miku i kavajasit e kishte thirrur ish-futbollistin dhe e kishte prezantuar te policët e infiltruar si nipin e tij.
Më parë palët kishin arritur marrëveshjen për shitjen e një sasie droge për 33 mijë euro.
“Në atë moment, ai nuk kishte preferuat t’i numëronte vetë paratë, por i kishte kërkuar Bekimit që t’i numëronte. ‘Beko, hajde numëroji këto paratë’.
Bekimi kishte gati një muaj që ndihmonte me ndonjë punë të vogël.
Njëri nga punëtorët e atij biznesi kishte pasur probleme me patentën dhe e ndihmonte vëllai im.
Në kushte mirëbesimi i ka marrë lekët që t’i numërojë dhe në atë moment i kanë arrestuar. Kjo është histori”, është shprehur Heri mes të tjerash, teksa në rrëfimin e tij tregon se Bekimit nuk i është gjetur asgjë komprometuese në celularin e tij, ndaj edhe është gjykuar veçmas dhe akuzat ndaj tij janë për shkak se ka pasur dijeni.
a.ç