Shpend Ahmeti u largua nga Lëvizja Vetëvendosje, duke ngritur Partinë Socialdemokratike, të cilën edhe e drejton. Albin Kurti thotë se nuk e ka kuptuar ende se përse u largua, por mbetet i bindur se krisja nuk e dëmton fare Vetëvendosjen.
“Nuk ka ndarje të Lëvizjes Vetëvendosje, por dalje të disa personave, të cilët nuk i kanë bërë dëme asaj, por vetes së tyre. Fryma e Vetëvendosjes është ajo që ne mbajmë anëtarësinë tonë. Për mua janë ende enigmatike të gjitha qëllimet e kësaj daljeje nga Lëvizja Vetëvendosje, kur dihet që ne do të jemi qeverisja e ardhshme”, thotë ai.
Duke folur në një intervistë në Top Channel, Kurti deklaroi se nuk ishte në dijeni të ambicieve të Shpend Ahmetit, i cili gjatë përplasjeve brenda Vetëvendosjes u përpoq të ndërmjetësojë mes fraksioneve.
“Shpend Ahmeti doli që nuk ka qenë ndërmjetësues, pasi është bërë kryetar i një partie tjetër. Mua s’më ka thënë asnjëherë se kishte ambicie për t’u bërë kryetar, por e kishte mendjen vetëm te kryeqyteti”, deklaron Kurti. Është i bindur që ndarja nuk e dobëson Lëvizjen.
“Sondazhet sot tregojnë se del fituese në zgjedhjet e reja, ndërsa partia e re maksimumi do të shkojë dy për qind”, vijon ai, përgatiti Koha. (b.an)