Masa të rrepta sigurie për të shmangur kopjimin në provimet e maturës shtetërore. Si asnjëherë tjetër, ambienti kryesor i provimeve do të jenë korridoret e shkollave, përveç palestrave, e në rast nevoje, edhe klasat. Urdhri i Ministrisë së Arsimit është i qartë: të shmangen provimet në ambiente të vogla.
Kundrejt gjithë këtyre masave të marra, ata që tentojnë të shkelin rregullat, komunikojnë apo marrin telefon me vete, do të penalizohen rëndë, duke mos i dhënë shansin të testohet për një vit, rrjedhimisht duke i “djegur” në garën për universitet. Zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahini, bën me dije paketën e masave që ka ndërmarrë këtë vit ministria për rezultate reale. “Provimi do zhvillohet edhe nëpër korridore, edhe nëpër palestra, në të gjitha sallat ku është e mundur të sistemohen një numër më i madh i nxënësve.
Do të ketë administrues për një numër më të vogël nxënësish, në raport me më parë. Matura ka kuptim vetëm nëse është plotësisht e objektivisht e administruar mirë, ngaqë është një garë e nxënësve të cilët më pas synojnë të shkojnë në universitet. Nëse hasim parregullsi, ata nuk do të kenë mundësi të hyjnë në testin e maturës për një vit”. Kjo temë është cekur edhe nga ministrja Lindita Nikolla në takimin me maturantët e Fierit. “Është një vendim, që është për të gjithë maturantët e Shqipërisë, sepse duam që të mos diskriminohesh ti nga disa të tjerë që dinë ta vërtisin kopjen, përfshi këtu dhe administratorë të papërgjegjshëm.
Do të keni maksimalisht kushtet që të bëni provimin në kushte normale dhe gjithë shoqëria shqiptare ka sigurinë që në provimet e shtetit nuk kopjohet. Fakti që kemi zgjedhur sallat e mëdha, nuk ka të bëjë me diskriminimin tuaj, por për të shkuar haka tek i zoti”, nënvizoi ministrja. Pas pak ditësh, më 4 qershor e deri më 20 qershor, rreth 36 mijë maturantë të rinj e të vjetër do t’iu nënshtrohen provimeve të maturës. Rregullorja përcakton se mes tyre duhet të ketë një distancë prej 1.5 metrash.
Ky është viti i fundit ku maturantët testohen në pesë provime, tre me detyrim e dy me zgjedhje. Vitin e ardhshëm, një prej këtyre të fundit nuk do të jetë më obligim për të përmbyllur me sukses maturën shtetërore. Ndërsa në fund të korrikut deri më 4 gusht do të aplikojnë për në universitet./Panorama/a.m.