TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë sot në Spitalin Ushtarak ku ka vizituar minatorin e plagosur një ditë më parë në Bulqizë.
Basha hodhi akuza ndaj qeverisë duke e bërë fajtore për plagosjen e 40 minatorëve në 5 vite. Ai tha se qeveria është e lidhur me mafien dhe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve.
“Gjendja e tij paraqitet stabël ndonëse mjekët kërkojnë t’i bëjnë një ekzaminim më të hollësishëm. Aksidenti i djeshëm dhe plagosja e dy minatorëve në Bulqizë pason një sërë aksidente që kanë kushtuar jetën e 7 minatorëve në pak muaj. 7 minatorë kanë vdekur, 4 bashkëqytetarët tanë, 3 minatorë kinez në minierat e Bulqizës. Këto janë kosto dhe faturat e korrupsionit qeveritar e një prej ministrave më të korruptuar të kësaj qeverie, Damian Gjiknuri, të cilit i është mbyllur goja me milionat e mafies së kromit që është përgjegjësja kryesore bashkë me qeverinë e Edi Ramës për vdekjen e mbi 40 minatorëve gjatë 5 viteve që qeveris PS. I jam përmbajtur të flas për këtë temë menjëherë sa ka ndodhur e keqja që të mos përsërisnim shfaqjen e shëmtuar të socialistëve kur ishin në opozitë. Në 5 vite mafia e kromit dhe Edi Ramës e Gjiknurit i kanë marrë jetën më shumë minatorëve se në 20 vite të marra së bashku”, deklaroi Basha.
Ai theksoi se ‘kjo nuk mund të vazhdojë më, kjo duhet të ndalet dhe që të ndalet ne duhet t’i japim fund një qeverisje të marrë peng nga krimi dhe nga korrupsioni’.
“Ashtu si krimi i organizuar ka marrë peng ministrinë e Brendshme që nga koha e Saimir Tahirit dhe tani Agron Xhafaj dhe Fatmir Xhafajt, ashtu mafia e kromit, mafia e lojërave të fatit ka marrë peng Edi Ramën, Olsi Ramën, Damian Gjiknurin. Kjo që themi sot është e shkruar me vuajtje, me plagë, me varre të hapura në kurriz të shqiptarëvedhe lexohet qartë nga partnerët ndërkombëtarë. Ndaj është një arsye më shumë për të gjithë shqiptarët të kuptojmë se ka ardhur koha ta flakim tutje këtë qeveri, e cila nuk përfaqëson interesat e njerëzve por të mafies”, u shpreh kreu i PD.
Sipas tij, qeveria është pengesa kryesore për një jetë më të mirë, për shpresë për çdo shqiptar dhe për Shqipërinë europiane.
“Beteja që kemi nisur nuk është thjesht beteja për largimin e vëllait të familjes mafioze Xhafaj në krye të Ministrisë së Brendshme por është beteja për të larguar këtë qeveri që nuk përfaqëson interesat e njerëzve dhe që ka tradhtuar Shqipërinë e shqiptarët dhe që është gati të bëjë aktin përfundimtar të tradhtisë duke mbyllur derën e negociatave vetëm për të mbrojtur Fatmir e Agron Xhafajn, për të liruar Saimir Tahirn ndërkohë që mban në burg kuksianët dhe rrezikon dhe çon drejt spitaleve dhe vdekjes minatorët e pafajshëm të Bulqizës”, deklaroi Basha.
a.ç