Ende asnjë nga qytetarët nuk ka marrë në dorë detyrim të ri për taksën mbi ndërtesën, ndonëse ligji ka hyrë në fuqi nga 1 prilli. Vetëm pak ditë më parë Ministri për Financat dhe Ekonominë Arben Ahmetaj bëri me dije se viti 2018 do të jetë një vit tranzitor për zbatimin e takës së reformuar të pronës, që ka në bazë vlerën e saj sipas tregut.
Kjo, sipas tij, erdhi pas një kërkese të bashkive: disa prej tyre ende nuk ishin gati për zbatimin sipas modelit të ri. Në këto kushte Financat vendosën që të gjithë ato bashki që kanë mundësi të zbatojnë metodologjinë e re të vijojnë me arkëtimin sipas saj, pjesa që e ka të pamundur duhet të arkëtojë taksën sipas metodologjisë së vjetër. Gjithsesi nga 1 janari 2019 të gjithë duhet të zbatojnë taksën sipas asaj që përcakton ligji që ka hyrë në fuqi nga 1 prilli 2018.
Taksa e re e pronës do të llogaritet për individët sa 0.05 për qind e vlerës së ndërtesës, kurse për bizneset sa 0.2 për qind e vlerës së saj. Bashkitë kanë të drejtë që sipas vendimeve të Këshillit Bashkiak ta ulin apo rrisin me 30 për qind shkallën e vendosur nga qeveria sipas analizave që bën secila prej tyre.
a.ç