Në një reagim për Express Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri, thotë se nuk ka asnjë urdhër ndalimi për Albert Veliun, të konsideruar dëshmitarin “X” në audio-përgjimin me vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ku flitet për pazare droge.
Nisur nga ky fakt, Albert Veliu i arrestuar gjatë ditës së djeshme në Kosovë nga policia atje, ka kryer shkelje në shtetin fqinj. Por policia e Kosovës tregohet e rezervuar mbi arsyet e ndalimit.
“Prokuroria për Krime te Renda po kryen hetime ne procedimin penal Nr. 95/2018 regjistruar për veprën penale te “Trafikimit te narkotikeve” parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Ndaj shtetasit Albert Veliu nuk ka urdhër ndalimi apo urdhër për ekzekutimin e ndonjë vendimi të Gjykatës për Krime të Rënda”, thotë në një reagim për Express zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Denion Ndrenika.
Pra sipas organit të akuzës në Shqipëri, hetimet janë duke u kryer mbi audio-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike, por se nuk ka asnjë vendim gjykate që të ketë kërkuar arrestimin e Veliut.
Veliu u ndalu bashkë me djalin e tij 22-vjeçar në Shtime.
“Mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës bazuar në autorizimet ligjore me dt. 27.05.2018, ka ndaluar dy shtetas të Republikës së Shqipërisë. Të ndaluarit janë trajtuar sipas procedurave të parapara ligjore. Me respekt, Zyra për informim e PK-së”, ishte reagimi i Policisë së Kosovës për Express. /b.d