Nga Lorenc Vangjeli/
Historia nuk bëhet me sikur. Me sikur nuk bëhet as e nesërmja. Por në politikë, fjala “sikur” ka një peshë pothuaj magjike. Një peshë që qorton çfarë ka ndodhur dhe sugjeron se çfarë mund të ndodhë më mirë në të ardhmen. Thelbi është një. Ai që dikur filozofët kinezë e afronin si këshillë duke sugjeruar që mizat të mos vriteshin me top. Dhe që sot mund të përkthehet lehtësisht me një aksiomë mjekësore: zbokthi nuk kurohet nga giliotina, “lodra” e frikshme dhe tragjike e Revolucionit francez që në Shqipërinë e sotme përdoret si gallatë nga gjithëfarë revolucionarësh komikë.
Edhe një sy indiferent nuk e ka të vështirë të dallojë paralele të qarta midis opozitave në Shqipëri. Po të shihen vitet e para të Edi Ramës në krye të PS-së që ishte poshtë PD-së së Doktorit, mund të paralajmërohen të gjitha hapat e PD-së së sotme të Lulzim Bashës që po shkon poshtë e më poshtë karriges së pushtetit të socialistëve.
Për fatin e keq të opozitës.
Për fatin e keq të qeverisjes.
Për fatin edhe më të keq të të gjithë shoqërisë shqiptare.
Sa më shumë dobësohet opozita, aq më shumë qeveria bëhet arrogante dhe aq më shumë zëvendëson faktin me opinionin, debatin me propagandën, ndeshjen politike me talljen. Ngjashmëritë mes opozitave janë ngjethëse. Me një ndryshim. Kopja e sotme po bëhet shumë më e keqe se origjinali i dikurshëm. Dhe çfarë deri ca pak vite më parë ishte dramë, tashmë po kthehet në një komedi të zezë, pa shije, pa grintë, pa tharm.
Dramatike ishte rrahja e shpatullave të Berishës në Spitalin Ushtarak mbas shpërthimit në Gërdec. Vetë Rama ishte dramatik në atë çast tragjik për të gjithë vendin.
Po sikur të kishte qenë ndryshe? Askush nuk di të thotë sesi do të zhvilloheshin ngjarjet më pas. E vetmja e vërtetë e verifikuar është se mbas atij momenti, PS-së ju deshën gjashtë vjet shumë të gjatë për të ardhur në pushtet.
Komike ishte rrahja e shpatullave të Bashës pak përpara se të niste takimi i famshëm i 17 majit të shkuar që parapriu zgjedhjet e një muaji e ca më pas. Teatri i “qeverisjes me bazë të gjerë të vendit, PS, LSI, PD, PDIU” përfundoi me një rezultat dramatik për të gjithë; Ramën që mori shumë më shumë sesa i nevojitej dhe Bashën që mori më pak edhe sesa e kuotonin skeptikët dhe kritikët e tij.
Po sikur të kishte ndodhur ndryshe? Po sikur Basha të mos kishte bërë egoistin përballë gjithë të tjerëve dhe të mos përqafohej gjithë drithërimë me kundërshtarin e tij real? Çifti i ri politik në Tiranë që Rama për gallatë e konsideronte si Romeo dhe Zhyljeta u zgjua ndryshe nga sa i kishte menduar Shekspiri. U zgjuan në realitetin e ashpër shqiptar ku si gjithmonë, fituesi i mer të gjitha! Kurse Basha si humbës nuk e ka kuptuar ende se për të ardhur në pushtet duhet të mundë Ramën dhe jo t’i shkelë syrin Edit.
Protesta e 26 majit ishte premtuar të ishte dramatike. Së paku si 21 Janari i socialistëve shtatë vjet më parë. Për fat të mirë nuk ndodhi ashtu.
Po sikur edhe protestuesit, edhe policia, edhe Xhafaj si Basha, edhe Rama si Berisha, të kishin pasur të njëjtën dashuri për gardhet? Atëherë historia mund të shkruhej ndryshe. Gardhi që Rama la të shkulej nga demonstruesit, nuk u bë personazh si gardhi kryeministror që mbrojti me ekzekutime pa gjyq Berisha.
Gjithsesi edhe në maj, pavarësisht diferencave të jashtëzakonshme me janarin e 2011-ës, bilanci ishte i dhembshëm. Njëmbëdhjetë policë dhe një protestues i plagosur. Fatkeqësisht një gazetar. Bledi Kasmi, gazetar veteran i opozitës u qëllua në kokë dhe po vazhdon të goditet edhe nga ata që po e mbrojnë si të plagosur qëllimisht nga policia, si nga ata që thonë se u godit aksidentalisht me gur nga protestuesit pas shpinës së tij. Dhe ca më shumë akoma, po e lëndojnë ata që kujtojnë se ai u plagos duke shtyrë policinë, kurse shtatë vjet më parë një koleg i tij u qëllua me plumb ndërsa po raportonte veprimet e policisë.
Vijimi i kësaj historie është ende me sikur. Po sikur audiopërgjimi të jetë i vërtetë? I pari kryeministri dhe më pas edhe ministri i brendshëm kanë thënë se do të rishohin pozicionin e tyre dhe se me të gjitha gjasat një gjë e tillë do të thotë deri edhe zgjedhje të parakohshme.
Po sikur audiopërgjimi të jetë fallso dhe i manipuluar? Kujt do t’i duhej një e pavërtetë e opozitës, kujt do t’i hynte në punë kjo çadër e mjaftueshme për të mbuluar më pas shumë të vërteta të vështira për vetë qeverisjen? Kush do të vraponte të besonte një opozitë me heronj të marë me qera që luajnë deputetin dhe deputetë që janë pak më poshtë nivelit intelektual të Babales me shkollë jete?
“Dhuna nuk është zgjidhje. Zgjidhje është e vërteta”, tha pas protestës së 26 majit Lulzim Basha. Sikur të besonte vërtet këtë gjë që thotë, kjo do të ishte fitorja e vërtetë e opozitës në 26 maj. Leksioni se në politikë duhet shmanget dhuna e gënjeshtrave dhe gënjeshtrat që vijnë si tren pas një të vërtete fillestare, i vlen kujtdo në politikë. Ndryshe opozitat, sot kjo e djathta dhe nesër edhe ajo e majtë që do të vijë, do të shërbejnë vetëm si hite për rrejtet sociale. Njëlloj si ai taksisti simpatik që edhe ka, edhe nuk ka terezi për t’u marë me femra dhe sillet si Kazanova i Tiranës. Siç bëjnë, fundja, të gjithë burrat e dynjasë kur pijnë kafe me shokët ose kthehen nga gjuetia. Por nëse ky muhabet burrash bën për të qeshur, kur vjen puna tek opozita, që edhe ka terezi të gënjejë, edhe nuk ka terezi për të vërtetën, kjo është një arsye për të qarë. Sepse as dje dhe as sot, opozitat në Shqipëri nuk kanë kuptuar as që topi nuk është ilaç kundër mizave dhe as që giliotina revolucionare nga Parisi nuk e shëron zbokthin në kokat e provinciale shqiptare.