Opozita protestoi sot para Kryeminsitrisë ku ka kërkuar largimin e qeverisë të cilën e akuzon për lidhje me krimin.
Për rreth 30 minuta, lideri i PD Basha iu drejtua mbështetësve të opozitës në një fjalim ku ai theksoi se synimi nuk është pushteti, po “çelja e dritës” për vendin.
Që në nisje të protestës, disa mbështetës të opozitës kanë hedhur tymuese dhe flakadanë në drejtim të Kryeministrisë, të cilat u përsëritën edhe në mbyllje të protestës nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Basha tha se ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk është “përplasje mes qeverisë dhe maxhorancës, por mungesa e demokracisë dhe rënia e shtetit të së drejtës”.
Basha: “Ne jemi këtu për t’i treguar Europës, Perëndimit, se qeveria bizantine që sot sundon te ne, nuk përfaqëson popullin. Nuk përfaqëson aspiratën e shqiptarëve. Jemi mbledhur në këtë shesh për të qëndruar si europuianë përballë qeverisë më antieuropiane që ka sot Europa. Përpjekja jonë nuk është përplasje mes opozitës dhe qeverisë, përpjekja jonë nuk është luftë, por është përpjekja e popullit kundër sundimtarit shkatërrues. Përpjekja jonë është betejë mes të mirës dhe të keqes, është beteja mes njerëzve që duan drejtësi dhe atyre që kanë kapur drejtësinë. është beteja mes njerëzve që duan siguri dhe rend dhe aleancës së pushtetit me krimin. Problemi që ka sot Shqipëria është mungesa e demokracisë, rënia e shtetit të së drejtës, është shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni…
Sot nga ky shesh i mbushur si kurrë më parë, ne dëshmojmë se ne nuk e pranojmë autokracinë, korrupsionin dhe se ne nuk mbyllim sytë. Kurrë autokratët e korruptuar. Kohë më parë këtij populli iu premtua mirëqënie, por e vetmja që krijoi është luksi i shfrenuar për veten dhe miqtë e saj. Popullit iu premtua drejtësi, por mbrojti kriminelët dhe pushtetarët e lidhur me krimin. Ndaj shqiptarët po largohen. Në vitet ’90 shqiptarët u turrën drejt botës për lirinë, sot po largohen, pasi nuk besojnë që në Shqipëri do të ketë demokraci, shpresën që nuk e vrau komunizmi e vrau rilindja.
Ne sot kërkojmë një qeveri që punon për njerëzit, që punon për të ardhmen e tyre. Asnjë qeveri nuk bëhet vetë e mirë, pushtetin e bën të mirë vetëm frika nga populli. Të përparuara janë vendet ku qeveria e ka frikë popullin, të mjera janë vendet ku populli e ka frikë qeverinë. Ndryshimi fillon atëherë kur populli nuk i zë besë pushtetit. Shqipëria ka nevojë për udhëheqës normalë që respektojnë njerëzit, punojnë për njerëzit. Dhe nëse nuk sillen si Evropianë duhet t’i ndërrojmë sa më parë pa pritur që e keqja të bëhet mal. Ne kemi nevojë të besojmë se mund të bëjmë Shqipërinë, mund ta mposhtim të keqen dhe të ndërtojmë të mirën.
Nëse 5 vitet e fundit kanë treguar një gjë, është kjo, sa herë njerëzit janë bërë bashkë, ata ia kanë dalë. Mendoni sesa të fuqishëm jemi kur bëhemi gatshëm me mijëra, qindra e mijëra, atëherë pushteti do të jetë vërtetë i njerëzve dhe në shërbim të njerëzve. Për 5 vjet kemi luftuar krimin në politikë, kemi luftuar drogën dhe trafiqet, kapjen e shtetit. Unë dhe ju kemi provuar çdo gjë, talljen, mashtrimin, presionet, dhunën, braktisjen dhe vetminë. Pushteti bëri gjithçka për të la larguar nga kjo përpjekje, por zoti dhe e vërteta na dhanë kurajo të vazhdojmë dhe ja ku jemi sot bashkë. Në këtë demonstrim të jashtëzakonshëm të aspiratës tonë për demokraci, për vlera europiane, jetë më të mirë dhe shpresë për çdo shqiptarë.
Mes jush sot këtu unë nuk jam për të kërkuar pushtet për vete, nuk jam këtu për të zaptuar, nuk jam këtu për të qenë mbi ju, jam këtu për të marrë kurajo dhe për t’iu dhënë kurajo, për të qenë një nga ju, për të qenë bashkë me ju. Çfarë na pret përpara nuk është më sfida e një njeriu, udhëtii i një njeriu, është udhëtimi i të gjithë ne, të gjithë shqiptarëve duke ndjekur dritën që ne shohim, dielli ynë që lind në perëndim.
Zoti është treguar zemërgjerë me ne, na kë dhënë një vend në mes të perëndimit, na ka dhënë një natyrë të mrekullueshme dhe ne do jemi një vend i begatë dhe vend i përparuar e evropian. Ka një baticë në punët e njerëzve e cila kur kapet çon drejt fatit, kur kjo mundësi humbet jeta lëngon me cektësira e mjerim. Ne kemi humbur shumë jetë në cekëtina dhe mjerim, por tani batica po ngrihet përsëri, ky është momenti ynë./a.m.