Opozita proteston sot kundër qeverisë dhe kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj pas akuzave për trafik droge për vëllain e tij Agron Xhafaj. Nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vijnë edhe shifrat e para të qytetarëve të nisur nga rrethet për të protestuar sot në Tiranë.
Gazetari Senad Nikshiqi duke iu referuar burimeve nga PD e Shkodrës raportoi për “BalkanWeb” se nga ky rreth janë nisur rreth 5000 protestues të organizuar.
Nga Dibra Enver Doçi raportoi për “BalkanWeb” se janë nisur drejt kryeqytetit rreth 1500 protestues. Policia ka ngritur postoblloqe qe mbremjen e djeshme.
Ndërkaq burime zyrtare nga PD Elbasan konfirmuan për gazetarin Fatmir Popja se të paktën 3 mijë qytetarë nga të 7 bashkitë e Qarkut të Elbasanit do të nisen në mënyrë të organizuar për t’iu bashkuar protestës së sotme në Tiranë.
Ndërkaq disa mijëra të tjerë po nga ky qark pritet t’i bashkohen kësaj proteste. Deputeti i PD Endri Hasa tha se pritet të ketë një fluks jashtëzakonisht të madh qytetarësh të qarkut të Elbasanit që do marrin pjesë në këtë protestë.
Ora 8:48- Zyrtarisht LSI jep këto shifra për numrin e protestuesve të nisur nga rrethet:
Qarku Korçë- 2000. Qarku Elbasan- 3000. Qarku Berat – 3000. Qarku Durrës- 2500. Qarku Vlorë-1500. Qarku Gjirokastër- 1500; Qarku Dibër-1000. Qarku Shkodër-2000. Qarku Lezhë- 2000. Qarku Kukës-500. Qarku Fier- 3000.
Ora 8:35- Nga Fieri janë nisur rreth 2000 protestues. Nga Lezha rreth 1500 qytetarë të organizuar nga PD dhe LSI.