Prokurori i Task Forcës në Durrës, Afrim Shehu thotë se objektivi i grabitësve ka qenë pikërisht zyra e tij. Ai deklaron se është thyer zyra ngjitur, ku qëndrojnë dy oficerë të policisë gjyqësore.
“Janë marrë vetëm disa akte ekspertimi, të një dosjeje që ka lidhje me hetimet për komunën Ishëm. Gjithashtu janë grisur disa dokumente. Nuk është marrë asgjë tjetër”, ka thënë prokurori Shehu.
Prokurori më tej, ka hedhur dritë dhe rreth çështjes së grabitjes së serverit me të dhënat e Prokurorisë dhe ngritjen e një Prokurorie tjetër paralele nga ana e krimit.
“Është marrë pajisja që monitoron kamerat. Është marrë serveri i kamerave, jo serveri i të dhënave kompjuterike për institucionin“, ka thënë Shehu.
Sipas tij materailet që janë marrë nuk i dëmtojnë hetimet.
“Është thyer zyra që është ngjitur me mua, ku janë dy oficerë të Policisë gjyqësore, por objektivi ka qenë zyra ime dhe jo e atyre. Qëllimin e kanë pasur për të prishur hetimet, por kjo gjë nuk do të ndodh. Nuk dëmtohen hetimet, është rast që rikuperohet, pasi materialet janë të administruara dhe në pjesën tjetër të dosjes. Çdo gjë është në rregull, nuk është dëmtuar asgjë nga hetimi”, ka saktësuar prokurori Shehu.
Gjithashtu ai ka hedhur poshtë zërat, se çështja po hetohet nga Krimet e Rënda, pasi një ditë më parë në Prokurorinë e Durrësit u paraqit prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela.