Kur na ndajnë disa orë nga protesta që do të organizojë nesër opozita, kryetari i PD-së Lulzim Basha bën lëvizjen e radhës. Lideri i PD-së ka zbritur në terren ku do të takojë qytetare për t’ju shpërndajë atyre fletëpalosje për protestën.
Konkretisht Basha ka zgjedhur që ta nis turin e tij të shpërndarjes së fletushkave nga 9 kateshet. Basha ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë nesër në protestë dhe të marrin me vete edhe të afërmit dhe miqtë.
PD dhe aleatët e saj i kanë bërë thirrje edhe sot shqiptarëve t’i bashkohen protestës për të rrëzuar qeverinë “e krimit dhe drogës” siç e quajnë ata.
Nesër në orën 11:00 opozita ka thirrur qytetarët në protestë, për të kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Që nga dita kur publikuan dosjen e plotë të dënimit të vëllait të ministrit, Agron Xhafaj, i cili rezultonte i dënuar si pjesë e një organizate të trafikut të drogës, demokratët kërkuan që Xhafaj të dorëhiqet.
Ndërsa ministri reagoi dhe u distancua nga veprimet e vëllait, PD publikoi të tjera prova të forta, një audiopërgjim të vëllait të ministrit me një trafikant. PD deklaroi se biseda e përgjuar ishte berë në kohën kur Xhafaj ishte ministër, duke shtuar se Agron Xhafaj bënte trafik droge nën hundën e vëllait ministër. /bw